Po, është e drejtë ta quajmë një arritje të madhe. Sepse të mbërrish mes katër ekipeve më të mira të Europës nuk është as e lehtë, as e zakonshme, aq më pak e garantuar. Ta bësh këtë pasi ke eliminuar Bayern Munich është diçka edhe më e veçantë.
Por a mund ta quajmë “mrekulli”? Vetëm nëse harrojmë që kjo skuadër ishte në finale para dy vitesh në Stamboll, sezonin e kaluar u eliminua me penallti dhe sot është sërish aty, në majë të futbollit europian. Nuk është një përjashtim, është realitet.
Interi tashmë është një forcë europiane. E vërtetojnë rezultatet, por mbi të gjitha vazhdimësia. Kjo skuadër, nën drejtimin e Simone Inzaghit, pas titullit të fituar me Conten, ka përfunduar e dyta, e treta, ka fituar sërish kampionatin Italian (yllin e dytë) dhe tani është sërish në garë me Napolin për titullin. Në këto katër vite, Interi është rritur më shumë; ka përfituar nga momenti i mirë dhe ka ndërtuar një skuadër dhe mentalitet fitues. Më saktë, me mentalitet europian.
Sot, nëse Interi nuk i luan të gjitha ndeshjet e sezonit, do të thotë se i mungon vetëm ndonjë finale. Që nga fillimi i sezonit, nuk ka bërë asnjë zgjedhje për të braktisur ndonjë kompeticion, ky është çelësi. Natyrisht, falë një skuadre të thellë, por mbi të gjitha falë punës dhe përkushtimit të përditshëm të lojtarëve, stafit dhe vetë Inzaghit.
Nuk është pak, nuk është fort normale. Vetëm shumë pak skuadra, të paktën kohët e fundit, e kanë pasur këtë qasje. Pa u fshehur, pa ulur pritshmëritë, duke synuar objektivin, duke kultivuar një ëndërr dhe bërë një popull të tërë të ëndërrojë, atë zikaltër.
Kjo duhet të shërbejë edhe për të ndryshuar mënyrën se si gjykohet sezoni. Po, titujt janë të rëndësishëm, por për të vlerësuar një punë të mirë nuk duhet domosdoshmërisht të fitosh gjithçka. Sidomos nuk duhet rënë në grackën e paragjykimeve, sepse rreziku ekziston. Interi mund të mos fitojë asnjë trofe, por kush e quan këtë sezon të dështuar, do ta bëjë vetëm me qëllim të keq.
Interi mund të jetë krenar. Shumë krenar. Është në garë për gjithçka. Fundi i prillit dhe fillimi i majit do të jenë vendimtarë: gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Italisë me Milanin, udhëkryqi i tiotutllit të Serie A në Bologna dhe më pas dy përballje me Barcelonën. Interi është aty ku duhet, në momentin e duhur. Ka shanset e veta dhe ato janë të shumta. Është në formë, i motivuar, optimist dhe i vetëdijshëm.
Se si do të përfundojnë tri gjysmëfinalet, se çfarë do të ndodhë në fundin e kampionatit, kjo mbetet për t’u parë. Nuk e dimë nëse ky sezon do të jetë triumfues, i jashtëzakonshëm, apo “vetëm” shumë i mirë. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: nuk ka vend për fjalë negative.
Interi duhet të jetë krenar për veten. Tani e di që mund të kënaqet. Dhe kjo kënaqësi do ta ndihmojë të përballojë presionin e jashtëzakonshëm që sjell fundi i sezonit. Fund ku vendosin detajet, të cilat nuk mund t’i kontrollosh gjithmonë. Tani është koha për të korrur frytet e punës. Duhet edhe pak fat, përqendrim, përkushtim, shpirt sakrifice dhe cilësi.
Duhet durim dhe pasion. Duhet të presim, por një gjë mund ta themi pa frikë: Interi është rritur. Tashmë është vërtet një nga më të mëdhenjtë e Europës.
Komenti / Interi mund të jetë veçse krenar, pavarësisht si përfundon ky sezon
