Moti i keq/ Ministri Vengu: 1500 hektarë tokë të përmbytura në mbarë vendin

Nga Saranda, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se 1500 hektarë tokë janë nën ujë në mbarë vendin, për shkak të reshjeve intensive të shiut gjatë ditëve të fundit.

“Praktikisht rreth 1500 hektarë janë nën ujë, 500 hektare bashkitë Lezhë dhe Kurbin, pastaj pjesa e Devollit dhe Maliqit ku ujërat kanë rënë por sërish ka siperfaqe te permbytura. Kemi gjithashtu Vjosën dhe Semanin me një sipërfaqe të konsiderueshme brenda argjinaturave, por që kërcënojnë disa fshatra dhe së fundmi padyshim edhe Saranda e prekur në mënyrën masive me 500 hektarë në ujë në momentet që flasim.

Gjithashtu konsiderohet se rreth 200 familje janë evakuar në rang vendi, 150 prej tyre janë rikthyer në banesë dhe 50 prej tyre gjenden në konvikte. Të gjitha forcat aktualisht janë të përqëndruara në rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara.

Dëmtimet duhet të kuptojme se kanë ndodhur për efekt të intensitetit të madh të rreshjeve, pavarësisht se të gjitha mjetet kanë qenë në dispozicion dhe vijojnë punën në momentet që flasim.

Argjinatura e Bistricës së Madhe ka pësuar çarje të paktën katër vende dhe ajo që po realizojmë në bashkëpunim me bashkinë, me skuadrat xheniere të forcave të armatosura dhe me disa operatorë privatë është nga të dyja frontet nga ana e Çukës, sidomos sot po veprojmë për të përmbyllur të gjitha pikat ku është ndërprerë argjinatura. Kjo do na mundësojë uljen e nivelit të ujërave në gjithë zonën, futjen në funksion të hidrovorit dhe stabilizimin e të gjithë situates brenda dy ditësh.

Një tjetër front pune ka të bëjë me ardhjen në ndihmë të të gjithë blegtorëve të zonës, të cilët kanë pësuar dëme, do të thoja, të konsiderueshme. Presupozohet që gjysma e krerëve të regjistruar në zonën e Sarandës praktikisht kanë pësuar shumë dëme në stallat përkatëse dhe gjysma e bagetive kanë ngordhur dhe duhet të bëjmë inventarizimin, evadimin e tyre për efekt shëndetësor dhe veterinar. Pastaj do të kalojmë në fazën e shpërblimit të dëmeve siç i takon secilit prej blegtorëve.

Atë që mund t’ju them është se në rang vendi kemi tre situata aktualisht shqetësuese, sidomos në zonën e Semanit, ku praktikisht në Kallm, në Belinë dhe në Roskovec forcat janë në terren. Lumi nuk ka shkuar përtej argjinaturave, por praktikisht është duke cënuar disa zona bujqësore. Mund t’ju themi që nga të dhënat paraprake kemi përafërsisht 20 ura të dëmtuara zakonisht ura që mund të rehabilitohen shpejt, por kemi dhe ura që kërkojnë një rehabilitim tërësor sidomos në zonën e Glinës në Dropull”,- tha Vengu.
Ministri bëri me dije se në mbarë vendin rreth 200 familje u evakuuan nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve, nga të cilët 150 janë rikthyer në shtëpitë përkatëse, ndërsa pjesa tjetër është strehuar në konvikte.