Detaje nga shorti i “play-off”-it të Botërorit, Shqipëria përballë Polonisë

Adratik BALLA
Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e “play-off”-it të Botërorit 2026. Në shortin e “play-off”-it të hedhur sot në selinë e FIFA-s në Zyrih, goglat pozicionuan Shqipërinë përballë Polonisë. Ky takim do të luhet më 26 mars 2026, ndërsa kuqezinjtë kanë mësuar edhe kundërshtarin e mundshëm për finalen e “play-off”-it. Nëse Shqipëria kalon me sukses Poloninë, në finalen e “play-off”-it që të dërgon në Botërorin 2026 do të luajë ndaj fituesit të çiftit Ukrainë/Suedi.
Silvinjo i përmbajtur: Poloninë e njohim e na njeh
Kombëtarja shqiptare njohu sot kundërshtarin e fazës “play-off” në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Zyrih. Polonia është ekipi kundërshtar i fazës gjysmëfinale dhe në rast fitoreje, do të ndeshemi në finale ndaj ekipit fitues të çiftit Ukrainë-Suedi. Trajneri Silvinjo foli për fshf.org dhe komentoi shortin e Shqipërisë. Ai u shpreh se Polonia është një kundërshtar I fortë, por që e njohim dhe na njeh mirë. Polonia? – Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara. Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? Janë të gjitha skuadra të forta, Polonia fillimisht, por edhe nga ana tjetër dy kundërshtarë të fortë. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra të forta, me lojtarë të fortë. Janë katër skuadra shumë të forta.
Ish-futbollisti i Polonisë, Bak: Shqipëria s’është e fortë për ne
Ish-kapiteni i kombëtares polake, Jaçek Bak beson se do të fitojnë kundër Shqipërisë dhe do të preferonte në finale Suedinë. “A nuk duhet të fitojmë kundër Shqipërisë në shtëpi? Pa ekzagjerim. Pastaj kemi Suedinë ose Ukrainën… dhe mendoj se do të preferoja Suedinë. Dhe Ukrainën vetëm nëse ndeshja do të luhej në Poloni. Nëse do të donin, jam i sigurt se Shoqata Polake e Futbollit do të ishte dakord. Megjithatë, ia vlen të përmendet se nëse na duhet të shkojmë në Suedi, sigurisht që nuk do të jetë e lehtë. Suedezët do të duan të kompensojnë humbjen e tyre në finalen e “play-off” para kampionatit të mëparshëm”, thotë Bak. “Shqipëria? Pse duhet të kemi frikë? Ne luajtëm në kushte të barabarta me Holandën, por kemi frikë kundër Shqipërisë ose Suedisë? E kuptoj që kjo nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Nëse dikush pret një të tillë, duhet të korrigjohet menjëherë. Do të shtyjnë, do të luftojnë dhe do të vendosin kushte të vështira, por nuk mund ta imagjinoj që të mos fitojmë. Shqipëria… të mos gënjejmë veten. Siç thotë Urbani, ne jemi favoritët dhe supozohet ta fitojmë këtë ndeshje”, thekson Bak.
Ndeshjet e “play-off”-it
FIFA ka publikuar orarin e ndeshjeve “play-off”, ku Shqipëria do të luajë në transfertë me Poloninë në orën 20:45 ndërsa stadiumi ende nuk është bërë i ditur. Në të njëjtin orar do të luajë edhe Sllovakia me Kosovën. Ndërkohë, finalet janë planifikuar për më 31 mars dhe të gjitha ndeshjet vendimtare janë planifikuar të zhvillohen në orën 20:45.