Portugalia e Ronaldos kualifikohet në Botërorin 2026, për Ronaldon një shans të luajë për trofeun që i mungon

Adriatik BALLA
Kualifikueset e Botërorit në zonën europiane vijojnë dhe ka befasi në çdo grup, edhe pse skuadrat e mëdha e kanë siguruar tashmë kualifikimin për në Botërorin e ardhshëm. Në të vërtetë jo vetëm skuadrat por edhe individët marrin vëmendje, sikurse ndodh me Kristiano Ronaldon e të tjerë yje që vijojnë të luajnë aktiv në fushë. Në fakt, nuk ka befasi në eliminatore në lidhje me përfaqësuesen e Portugalisë, e cila është kualifikuar për në Kupën e Botës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Portugalia në ndeshjen e fundit kualifikuese e mposhti Armeninë të dielën në shtëpi me rezultatin shumë të thellë, 9:1. Portugalia u paraqit pa superyllin, Kristiano Ronaldo, i cili u ndëshkua direkt me karton të kuq të enjten ndaj Irlandës. Joao Neves dhe Bruno Fernandes shkëlqyen te Portugalia duke realizuar “hat-trick”. Renato Veiga, Gonçalo Ramos dhe Francisco Conceiçao ishin tre realizatorët e tjerë për Portugalinë.
Portugalia i mbylli kualifikimet me katër fitore, një barazim dhe një humbje. E zë vendin e parë në Grupin F me 13 pikë. Ndërkohë, Armenia e përfundoi fazën kualifikuese me një fitore dhe pesë humbje. Renditet në pozitën e fundit me tri pikë. Ndërkohë, Kistiano Ronaldo pritet të luajë në një tjetër Kampionat Botëror. Ronaldo mungoi në ndeshjen e zhvilluar në Porto për shkak të supsendimit – por pavarësisht mungesës së tij, Portugalia e siguroi Botërorin, që do të jetë i gjashti për superyllin portugez. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do të jetë 41-vjeçar në kohën kur turneu nis në qershor. Për Ronaldon do të jetë mundësi tjetër që ta fitojë trofeun që i mungon.
Ai pritet të jetë pjesë e përfaqësueses që udhëhiqet nga Roberto Martinez, edhe pse Ronaldo mund të suspendohet pas kartonit të kuq që e mori të enjten mbrëma në humbjen 2:0 nga Irlanda. Në Kupën e Botës 2026 pritet të paraqitet edhe rivali i tij i madh, Lionel Mesi. Fituesja në fuqi e Botërorit, Argjentina, e ka siguruar po ashtu vendin në Botëror. Mesi veçse është fitues i Botërorit. Ai triumfoi me Argjentinën në Katar, në vitin 2022. Ronaldos, i cili e ka fituar Kampionatin Evropian dhe dy herë titullin e Ligës së Kombeve me Portugalinë, i mungon trofeu i Botërorit. 40-vjeçari në nivel ekipor ka pesë Liga të Kampionëve dhe tituj të ligave në Angli, Spanjë e Itali. Ronaldo në kualifikimet e Kampionatit Botëror është golashënuesi më i mirë me 41 gola.