Ismajli lider tek Torino, Tuci futet nga stoli dhe i jep fitoren skuadrës turke për 13 minuta

Adriatik BALLA
Performanca kuqezinjve që luajnë në Itali është cilësore. Jo rastësisht trajneri Silvinjo e beson punën e tij në krye të përfaqësueses tek ky kontigjent, pasi është më cilësor dhe luan në një nga ligat më të forta në botë. Krahas Ismajlit, Berishës e Ramadanit, që spikasin në Itali, duket se edhe në kampionatin turk shqiptarët po bëhen protagonistë me futbollin e tyre cilësor e shpesh edhe me statistika në rritje sa u takon minutave, golave dhe asisteve. Këtë herë shkëlqeu Indrit Tuci.
Ismajli lider në fushë, Asllani sheh nga stoli
Ardian Ismajli ishte titullar në ndeshjen që Torino barazoi me shifrat 2-2 ndaj Pizës. Një sfidë e cila shkoi në rezultatin 2-0 për miqtë e më pas të cilën torinezët e barazuan me vetë mbrojtësin i cili dha asistin te goli i parë. Ai është shfaqur para mediave në fund të sfidës dhe ka treguar ndjesitë për këtë ndeshje, por edhe për atë pasardhëse, derbin e ndezur kundër Juventusit. “Ishte argëtuese për tifozët. Kemi bërë shumë keq për gjysmë ore, pësuam dy gola të shmangshëm, por ky është futbolli. Ishte e rëndësishme të reagonim, barazuam dhe e patëm ndeshjen në dorë. Por edhe kështu është në rregull, Seria A nuk është e lehtë dhe tani duam të shmangim gabimet”, tha Ismajli.
Më pas ai komentoi ecurinë e ndeshjes, duke pranuar se bëri një gabim që kushtoi, pasi kundërshtari shënoi gol, por e kompensoi gjatë lojës. “Kishim shumë dalje bosh dhe kundërsulme, bëra edhe unë një gabim dhe pastaj ata shënuan një gol të shkëlqyer. I falënderojmë tifozët për mbështetjen e tyre pas disavantazhit 2-0. U përpoqëm dhe tani shohim përpara”, nënvizoi ai. Ismajli më pas theksoi rëndësinë e ndeshjes së radhës, një derbi që i motivon së tepërmi lojtarët e Torinos. E këtu është fjala për përballjen e madhe me Juventusin. “Do të jetë derbi im i parë. Do të dalim në fushë, të bëjmë punën tonë. E dimë që na ka munguar një fitore prej shumë kohësh, të shohim se çfarë mund të ndodhë të shtunën. Jemi të gjithë gati”, shtoi ai. Në fund Ismajli u pyet për pritshmëritë e skuadrës së Torinos në duelin e ardhshëm derbi. “E dimë çfarë do të thotë ky derbi, nuk ka shumë për të thënë. Tifozët do të na japin një mbështetje të jashtëzakonshme, shpresojmë të bëjmë më të mirën tonë”, përfundoi Ismajli. Mbrojtësi kuqezi ka munguar në Kombëtare gjatë ndeshjeve të fundit për shkaqe dëmtimi, por mund të kthehet që në duelin e radhës, atë ndaj Andorrës në transfertë.
Tuci futet në minutat e fundit dhe nga stoli ia jep fitoren ekipit të Kajserisporit
Sfida mes Kajserispor dhe Kasimpasës në Superligën turke po rezulton një spektakël i vërtetë. Indrit Tuci u fut nga stoli në minutën e 77-të, për të rikthyer skuadrën e Kajserispor në avantazhin 3-2. Mendohej se Kajserispor do të shkonte te fitorja, pasi në pjesën e parë e pa veten dy herë në avantazh. Barazimi nga Kasimpasa në transfertë erdhi në minutën e 67-të. Më pas trajneri i vendësve vendosi për të bërë ndryshime. Kështu në fushë u hodh Tuci, i cili përfitoi më pas nga një krosim në zonë për të gjetur golin me kokë. Tuci është i huazuar nga Sparta e Pragës. Te klubi turk e ka golin e tretë për këtë sezon.