Në Qendrën e Kompetencës “11 Marsi” në Prizren, çdo mëngjes dëgjohen zëra të rinj që vijnë nga kufiri. Nxënës nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja kanë zgjedhur këtë shkollë për t’u përgatitur për tregun e punës.
Në mungesë të programeve të arsimit profesional në vendlindjet e tyre, ata orientohen drejt arsimit profesional kosovar, i cili ofron edhe sistemin dual, kombinim i mësimit teorik dhe praktikës në biznese, me pagesë mujore.
Arsimi profesional dhe sistemi dual, që ndërthur mësimin me praktikën në biznese, po bëhet një magnet për të rinjtë që kërkojnë më shumë mundësi dhe kushte më të mira arsimimi.
Por për nxënësit nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja, rruga drejt dijes mbetet një sfidë. Për shkak të mungesës së alternativave, ata udhëtojnë çdo ditë drejt Prizrenit, duke paguar rreth 5 euro vajtje-ardhje, ose jetojnë me qira. Nxënësit kërkojnë krijimin e një linje të rregullt transporti publik mes Kukësit dhe Prizrenit, si dhe mbështetje me bursë nga shteti shqiptar.
Aktualisht, në Kukës funksionon vetëm një klasë me rreth 40 nxënës të arsimit profesional pranë gjimnazit “Havzi Nela”, në degën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Dy degë të tjera të hapura vite më parë nuk kanë rezistuar kohës.
Në Qendrën e Kompetencës “11 Marsi”, nxënësit nga verilindja e Shqipërisë gjejnë jo vetëm dije, por edhe mundësi reale për t’u integruar në tregun e punës.
Ky model tregon se bashkëpunimi ndërkufitar në arsim mund të funksionojë edhe pa marrëveshje formale, duke u mbështetur në vullnet dhe vizion për të ardhmen.
Sfida e nxënësve që kërkojnë arsim dhe punë / Çdo ditë nga Kukësi në…
