Turqit ‘trazojnë’ Malin e Zi, arrestime në Podgoricë dhe rikthim vizash për qytetarët turq

Qeveria malazeze forcon kontrollet ndaj shtetasve turq pas përleshjeve dhe arrestimeve
Qeveria e Malit të Zi njoftoi të hënën pezullimin përkohshëm të regjimit pa viza për shtetasit e Turqisë, një masë që hyri në fuqi menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe u justifikua si nevojë për të rishikuar mekanizmat e kontrollit të lëvizjes dhe qëndrimit të të huajve në vend.
Vendimi përfshin procedurë të përshpejtuar për dhënien e vizave, me qëllim që të minimizohen efektet negative për qytetarët turq që tashmë kishin udhëtuar ose planifikonin të vinin në Mal të Zi.
Ky veprim i qeverisë erdhi pas një operacioni policor në Podgoricë, ku u ndaluan rreth 50 shtetas të Turqisë dhe Azerbajxhanit, ndërsa u arrestuan dy persona, një turk dhe një azerbajxhanas, të dyshuar për përfshirje në një sulm me thikë ndaj një 25-vjeçari nga Podgorica, në lagjen Zabjelo, gjatë natës midis së shtunës dhe së dielës. Autoritetet njoftuan se incidentet e fundit dhe çështjet e ligjshmërisë së qëndrimit të disa shtetasve të huaj e bënë të domosdoshëm rishikimin e politikës së vizave dhe forcimin e kontrolleve.
Pas arrestimeve, situata në terren u tensionua. Një grup qytetarësh u mblodh përpara ndërtesave ku qëndronin shtetasit turq, duke brohoritur parulla me përmbajtje urrejtjeje dhe thirrje për dhunë, si “Vrite turkun”. U dëmtuan disa automjete dhe një objekt në pronësi të qytetarëve turq, ndërsa policia ngriti perimetra sigurie dhe vendosi dhjetëra makina para Ambasadës turke në Podgoricë. Prokuroria e Lartë e Shtetit nisi hetimet për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe racore, ndërkohë që dy të dyshuarit për përleshjen fillestare u akuzuan për veprën penale të sjelljes së dhunshme.
Qeveria malazeze theksoi se po kujdeset për interesat e rreth 13 mijë qytetarëve turq që ndodhen aktualisht në vend dhe se masa e pezullimit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe me Ankaranë. Podgorica premtoi se do të ndërmarrë hapa për të siguruar qëndrimin e ligjshëm dhe të qetë të tyre dhe se ky vendim është pjesë e harmonizimit të politikës së vizave me Bashkimin Evropian.
Reagimet institucionale ishin të menjëhershme. Presidenti Jakov Millatoviq dënoi sulmin dhe u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, duke paralajmëruar kundër stigmatizimit kolektiv. Ministri i Brendshëm Danilo Sharanoviq hodhi poshtë pretendimet se në Mal të Zi qëndrojnë mbi 100 mijë shtetas turq, duke sqaruar se numri real është 13.000, prej të cilëve 80 kanë qëndrim të përhershëm. Edhe partitë politike, përfshirë Partinë e Boshnjakëve, dënuan gjuhën e urrejtjes dhe kërkuan ndëshkimin e autorëve, pavarësisht origjinës së tyre etnike.
Nga Ankaraja, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë reagoi duke shprehur shqetësim dhe duke njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet malazeze për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së shtetasve turq në Mal të Zi. Autoritetet turke theksuan se ngjarjet po monitorohen nga afër dhe se bashkëpunimi diplomatik me Podgoricën do të vijojë për të zgjidhur çdo situatë që mund të kërcënojë qytetarët turq.
Ngjarjet ndodhën në një moment kur në Mal të Zi është rritur ndjeshëm prania e grupeve të huaja kriminale, veçanërisht turke, ruse dhe gjeorgjiane, të përfshira në trafik droge, pastrim parash dhe trafikim të qenieve njerëzore, sipas raportit të fundit të Qeverisë për Krimin e Organizuar. Sipas të dhënave zyrtare, në Mal të Zi janë të regjistruara 11 grupe të krimit të organizuar me rrezik të lartë, ndërsa gjatë muajve të fundit janë shtuar përplasjet midis klaneve që kontrollojnë kontrabandën ndërkombëtare të drogës.
Pezullimi i regjimit pa viza, në këtë kontekst, shihet si masë e fortë për të rikthyer kontrollin mbi flukset e migracionit dhe për të penguar infiltrimin e strukturave të paligjshme në territorin malazez. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se reagimet emocionale dhe masat e nxituara mund të rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet etnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet tradicionale me Turqinë, një vend që ka luajtur rol të rëndësishëm ekonomik dhe diplomatik në rajon.
Reagimi më i ashpër erdhi nga gazetari i njohur turk Ibrahim Haskoglu, i cili në rrjetin social X iu drejtua kryeministrit malazez Milojko Spajiç me akuza të rënda. Ai tha se “nuk mund ta bësh të gjithë Turqinë të paguajë për këtë” dhe e akuzoi Spajiçin se ka pranuar në vendin e tij persona të përfshirë në pastrim parash dhe mashtrime nga Turqia, pa organizuar kurrë ekstradimin e tyre. Sipas Haskoglut, “njerëz të tillë kanë filluar të marrin kontrollin e vendit tënd dhe ti i ke kanalizuar të ardhurat e parave të tyre të pista në ekonominë tënde. E ke shkaktuar vetë këtë situatë dhe tani po përpiqesh ta mbulosh duke ndëshkuar të gjithë qytetarët turq për të qetësuar zemërimin e brendshëm”.