Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së tetë për Abissnet Superiore. Në “Niko Dovana” janë shënuar 5 gola në sfidën Teuta-Flamurtari, ku në fund durrësakët fituan me shifrat 3-2.
Goli i parë do të vinte në minutën e 17-të, ku Gabriel Gomes do të kalonte në avantazh Teutën me një gol të bukur pas një goditjeje nga distanca. Në minutën e 29-të, Ergis Arifi dyfishoi shifrat për Teutën, duke përfituar nga një gafë e mesfushorit të Flamurtarit, Hamzi Ramani, i cili humbi topin.
Në fund të pjesës së parë, u shënuan edhe dy gola të tjerë. Fillimisht, Lorenc Trashi ngushtoi shifrat për Flamurtarin duke ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje anësori dënimi, por reagimi i durrëskave ishte i shpejtë, duke gjetur golin e tretë me Muço Boçi.
Në fillim të pjesës së dytë, Vasilios Zogos merr dy kartonë të verdhë të shpejtë dhe lë Teutën me 10 lojtarë. Në minutën e 56-të, Bolzan ngushton shifrat sërish për Flamurtarin, me një gol të bukur nga brenda zonës. Rezultati nuk ndryshon deri në fund, Teuta fiton 3-2.
Në ndeshjen tjetër të luajtur në “Arenen e Demave”, Partizani dhe Egnatia u ndanë në barazim pa gola. Partizani e mbylli ndeshjen em 10 lojtarë, pasi Besar Gudjufi mori dy kartonë të verdhë dhe u largua nga fusha në minutat e fundit.
ABISSNET SUPERIORE: 5 gola mes Teutës dhe Flamurtarit, “paqe” mes Partizanit dhe Egnatias
