Llogaritë e kuqezinjve në grupin K, forma sportive e Manajt dhe dueli Angli-Serbi

Adriatik BALLA
Shqipëria do të luajë më 13 dhe 16 nëntor dy ndeshjet e fundit në grupin K eliminator për finalet e Kupës së Botës në SHBA, Kanada e Meksikë vitin e ardhshëm, por rivalja kryesore në grup, Serbia, ka një ndeshje më shumë në dispozicion, atë me Letoninë. Në këto rrethana, Shqipëria, edhe se ka 11 pikë, katër më shumë se Serbia, nuk e ka siguruar plotësisht vendin e dytë, pra pozicionin që të çon në “play-off”, pasi ka ende pikë në lojë, por fitorja me modestët e Andorrës, mund ta vulosë këtë objektiv.
Pozitat në grup
Trajneri Silvinjo ka qenë në delir pas ndeshjes në Leskovc, pasi ai e beson fort se Serbia do të mundet nga Anglia. Edhe nëse i fiton të dy duelet e tjera do të shkojë 13 pikë, ndaj përfaqësueses së Shqipërisë, i duhet një fitore me Andorrën të shkojë në “play-off”. Po sa e sigurt është kjo? Kuqezinjtë janë aktualisht 1 pikë para serbëve, teksa të dyja skuadrat kanë për të luajtur edhe dy ndeshje, ku kuqezinjtë përballen fillimisht me Andorrën e më pas me Anglinë, ndërsa Serbia ka Anglinë në ndeshjen e më parë, e më pas do të presë Letoninë. Veç fitores ndaj Andorrës që është detyrim për skuadrën tonë, shpresohet edhe që Anglia të fitojë në Londër ndaj Serbisë, në mënyrë që të jemi zyrtarisht të kualifikuar si vendi i dytë në grupin K, për të mbajtur gjallë shpresën për Botëror. Si në Europian, ashtu edhe në këto kualifikuese, Silvinjo ka pasur një futbollist, i cili ka dhënë zgjidhje sa herë që kuqezinjve i është dashur. Nëse në Europian, ishte Jasir Asani ai që me golat e tij na kualifikoi, këtë herë është Rei Manaj lojtari protagonist, që ka marrë Shqipërinë “për dore” drejt Botërorit.
Manaj në formë, tani lider i sulmit
Referuar analizës që bën “Panorama Sport”, nëse në Europian ishte Jasir Asani ai që po e mbante Shqipërinë me shpresë, në kualifikueset e Botërorit gjërat kanë ndryshuar, pasi 30-vjeçari nuk është preferuar në lojë nga Silvinjo. Vendin e tij me gola, e ka zënë sulmuesi Rei Manaj i cili së fundmi u kthye në hero në Leskovc, ku shënoi golin e fitores në ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të kualifikueseve të Botërorit. Sulmuesi lushnjar gjeti golin e tij të parë në kualifikuese, duke i shënuar Andorrës një dygolësh në fitoren 3-0, teksa një gol të rëndësishëm, po realizonte edhe ndaj Letonisë në transfertë, por topi u devijua në vijë fatale duke u konsideruar më pas autogol nga vendësit. Sulmuesi ishte protagonist në ndeshjen ndaj Serbisë në Tiranë, po aty humbi penalltinë që mund t’i jepte 3 pikët, gabim të cilin e ka shlyer në Leskovc me një gol shumë të rëndësishëm. Kështu, në 6 golat që Shqipëria ka shënuar në këto kualifikuese, 3 prej tyre i ka shënuar Rei Manaj dhe njëri është autogol, të cilin “e detyroi” sulmuesi ynë. Shqipërisë i kanë mbetur edhe dy ndeshje, në të cilat të dy sulmuesit duhet që të jenë në formën e tyre më të mirë, për të gjetur golin që mund të shënojë arritjen më të madhe në historinë e futbollit shqiptar, për ta dërguar skuadrën në “play-off” të Kupës së Botës. Gjithçka duket e hapur, por realisht për Shqipërinë gjërat bëhen të lehta me një fitore ndaj modestëve të Andorrës. Aty fitorja është detyrim.