“Wom Travel”: Deti i Shqipërisë, guida 2025 nga veriu në jug

“Janë shumë të pakta vendet në Evropë që kanë mbetur ende të paprekur dhe pothuajse të fshehtë, ku natyra mahnitëse takohet me çmime ende të përballueshme. Një prej tyre është Shqipëria, destinacioni që po fiton gjithnjë e më shumë zemrat e udhëtarëve”, kështu e nis artikullin e saj, prestigjozja italiane, “Wom Travel”.

Pse të zgjidhni Shqipërinë për pushimet tuaja?

Shpesh e quajtur “Karaibet e Europës”, Shqipëria ofron një përzierje unike: plazhe të virgjëra, ujëra të kristalta, mikpritje të ngrohtë, kuzhinë të shijshme dhe një trashëgimi të pasur historike e natyrore. Të gjitha këto e bëjnë vendin një destinacion tërheqës, ku mund të shijoni pushime ndryshe, larg komercializimit të tepruar.

Bregdeti Adriatik, nga kufiri me Malin e Zi deri në Vlorë, është i mbushur me plazhe të gjata ranore dhe ujëra të cekëta, perfekte për familjet me fëmijë. Durrësi, Golemi dhe Velipoja janë ndër më të frekuentuarat, të pajisura me çdo shërbim.

Riviera e Jonit, pas kalimit të Qafës së Llogarasë, ofron pamje spektakolare: gjire të fshehta, shkëmbinj mbi det, plazhe me gurë të bardhë dhe ujëra turchesi. Këtu gjenden plazhet më të bukura për snorkeling dhe peizazhe kartoline: Dhërmi, Himarë, Borsh, Sarandë dhe Ksamil.

Plazhet më të bukura

Ksamil – “Perla e Rivierës”, me rërë të bardhë dhe ishujt e vegjël që mund të arrihen me not ose varkë. Një parajsë mesdhetare shumë e popullarizuar në verë.

Plazhi i Pasqyrave– pranë Ksamilit, e njohur për ujin e tejdukshëm që shkëlqen si pasqyrë.

Gjipe – plazhi më i egër dhe spektakolar, i fshehur në fund të një kanioni. Arrihet vetëm me shëtitje ose varkë.

Dhërmi – një ndër destinacionet më të gjalla, me plazh të gjatë, ujëra kristalë dhe beach clubs.

Borsh – plazhi më i gjatë i Jonit (7 km), i rrethuar nga ullishtet. Ideal për qetësi dhe shëtitje.

Livadhi (Himarë) – një plazh i madh me gurë të bardhë, i kombinuar mes hapësirave të lira dhe shërbimeve.

Porto Palermo – një gjir i vogël nën hijen e kalasë së Ali Pashës, i përsosur për snorkeling.

Durrës – plazhi më i madh i vendit, i frekuentuar dhe i pajisur, me rërë dhe ujëra të cekëta për familjet.

Velipojë – më veriori i Shqipërisë, me rërë të errët me veti kurative dhe shumë hapësirë për pushim.

Kakome & Krorëza – dy gjire të arritshme pothuajse vetëm me varkë nga Saranda, për një eksperiencë ekskluzive dhe të paprekur.

Saranda, “kryeqyteti” i Rivierës shqiptare

I njohur si “qyteti i bardhë”, Saranda është destinacioni turistik më i rëndësishëm i jugut. Përballë ishullit të Korfuzit, qyteti kombinon plazhe, jetë nate, kulturë dhe histori.

Promenada e Sarandës është epiqendra e qytetit, me bare e restorante ku mund të shijoni peshk të freskët apo të shihni perëndimin e diellit. Nga Saranda mund të vizitoni plazhet e Ksamilit e Pasqyrës, parkun arkeologjik të Butrintit (UNESCO), Syri i Kaltër dhe kështjellën e Lëkurësit me pamje madhështore mbi gjirin.

Si të organizoni pushimet në Shqipëri

Maj–shtator është periudha më e mirë. Qershori dhe shtatori ofrojnë klimë të shkëlqyer dhe më pak turistë. Korriku e gushti janë muajt më të mbushur, sidomos në Sarandë e Ksamil.

Mund të fluturoni në Tiranë e më pas të udhëtoni me makinë (4–5 orë deri në jug), ose të zgjidhni opsionin më të shpejtë – fluturim për në Korfuz dhe traget/alisaf për Sarandë (30–90 minuta). Nga Italia ka tragete për Durrës e Vlorë.

Mund të lëvizni me makinë ose motor për të zbuluar gjiret e fshehta. Transporti publik ekziston, por është i kufizuar dhe jo gjithmonë i saktë.

Jo vetëm plazhe

Butrinti (UNESCO) – një qytet antik me 2500 vite histori greke, romake, bizantine e veneciane.

Syri i Kaltër – burim karstik me ujëra magjepsëse ngjyrë blu.

Parku Kombëtar i Llogarasë – peizazhe malore, shtigje dhe pamje unike mbi Rivierën.

Gjirokastra (UNESCO) – “qyteti i gurit”, me arkitekturë osmane dhe kala mbresëlënëse.