Adriatik BALLA
Dje u luajtën ndeshjet e xhiros së tretë të Premier League angleze, mes emocionesh të forta, por edhe një rivaliteti të spikatur, ku ra në sy dueli i më të mirave të momentit, Liverpulit dhe Arsenalit, duel i luajtur në “Anfield”. Kjo ndeshje sillte përballë njëra tjetrës dy skuadrat që kishin fituar të dy ndeshjet në xhirot e para dhe mbanin kryesimin. Pra ishte një përplasje e kryesuesve, por në të njëjtën kohë edhe e dy skuadrave që e kanë shfaqur hapur pretendimin për titullin.
Ishte ndeshje deri diku e ekuilibruar, por në fund fitoi Liverpuli 1-0. Të kuqtë kaluan në avantazh ndaj Arsenalit me supergolin e Dominik Szoboszlait. Futbollisti hungarez e shënoi supergolin në minutën e 83-të të ndeshjes. Kjo fitore e ngjit Liverpulin në krye të vetëm me 9 pikë në tri ndeshje, duke lënë pas rivalët e tjerë që në startin e edicionit. Duket qartë se skuadra e Arne Slot këtë vit do të bëjë spektakël në Angli dhe do të synojë të fitojë gjithçka. Në ndeshjet e tjera të luajtura dje në Angli, ra në sy fitorja befasuese e Brightonit ndaj Mançester Sitit, 2-1, duke bërë që “qytetarët” që drejtohen nga trajneri i njohur Pep Guardiola të kalojnë një krizë jo të vogël në këtë start sezoni. “Cityzens” u mposhtën 2-1 nga Brightoni në “AmEx Stadium”, pasi ishin duke udhëhequr në pjesën e parë. Ishte Erling Haland që shënoi në minutën e 33-të të ndeshjes, për të vënë në epërsi skuadrën mysafire. Golit të Sitit iu kundërpërgjigj fillimisht një ish-lojtar i tyre, me Xhejms Milner që barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 66-të. Milner shënoi nga penalltia.
Në minutat e fundit të kohës së rregullt, lojtari me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda shënoi për epërsinë e Brighton, gol që ia siguroi edhe fitoren e parë të sezonit klubit të tij. Gruda pranoi një pasim të mirë nga Kaouro Mitoma, duke finalizuar pas një lëvizje të mirë që ‘mashtroi’ Traffordin dhe Ait Nourin. Ndeshja u mbyll me shifrat prej 2-1 dhe kështu, Brightoni shkon në kuotën e katër pikëve në këtë fillimsezon, teksa Siti mbetet në tri pikë të fituara. Një tjetër duel i luajtur dje në Premier League ishte ajo mes Notingham Forestit dhe Uest Hem Junajtid. Fitoi ky i fundit me rezultatin e thellë 3-0, duke marrë një trepikësh në transfertë me shumë vlerë për ecurinë e grupit në këtë fazë të parë të garës. për Uest Hemin kjo ishte fitorja e parë sezonale, kurse për Notinghamin ishte humbja e parë në tri ndeshje të luajtura. Në dy takimet e para kishin një fitore e një barazim. Pas Liverpulit kryesor me 9 pikë në tre xhirot e para të garës, pason Çelsi me 7 pikë në vend të dytë.
Liverpuli fiton duelin e madh me Arsenalin, duke u konfirmuar si skuadra pretendente për titull në Premier League
