Dukej se kishte dështuar si negociatë merkatoje, e ngecur në një rrugë pa dalje, por papritur gjithçka është rihapur. Milan dhe Club Brugge, në mënyrë të papritur, duken tani pranë marrëveshjes për Ardon Jasharin, një objektiv i deklaruar i kuqezinjve prej më shumë se një muaji. Ende nuk jemi në fazën përfundimtare të marrëveshjes, por oferta e Igli Tares, e njëjtë ekonomikisht (33.5 milionë euro, plus bonuse që mund të arrijnë deri në 38 milionë), ka ndryshuar në termat e saj. Marrëveshja mund të arrihet falë shtrirjes së pagesës në 4 vite në vend të 5.
Kontaktet janë të vazhdueshme në këto orë, sepse në këtë pikë po diskutohen realisht detajet e fundit. Lajmi konfirmohet edhe nga Belgjika, ku gazetari Sacha Tovalieri ka folur hapur për një marrëveshje të arritur me lojtarin, i cili është gati të firmosë një kontratë 5-vjeçare me kuqezinjtë.
A jemi gati? Ende jo. Por dita e djeshme ka qenë shumë pozitive, po ashtu edhe kontaktet pas ditësh tensionesh dhe ndonjë provokimi të vogël. Nga “Casa Milan” këtë herë vjen optimizëm, nyjet e fundit të një negociate veçanërisht të komplikuar po zgjidhen dalëngadalë. Ende nuk mund të thuhet se Jashari do të jetë lojtar i Milanit, por mund të thuhet me siguri se kuqezinjtë dhe Brugge nuk kanë qenë kurrë kaq pranë një shtrëngimi duarsh.
Kështu, në ditën e Luka Modric, që do t’i sjellë skuadrës klas dhe eksperiencë, “Djalli” mund të sigurojë një lojtar për të cilin flitet shumë mirë dhe që mund të shënojë, ose të paktën shpresohet nga kuqezinjtë, një epokë të re.
Milani drejt akordit për Jasharin, më afër se kurrë “tymit të bardhë” me Club Brugge
