Jasir Asani prezantohet te Esteglal në Iran, Shpendi në “radarët” e Fiorentinës

Adriatik BALLA
Kuqezinjtë rikthejnë jehonën e tyre në merkato, teksa ka lëvizje që janë të forta e të bujshme, por edhe lëvizje që lojtarët vetë i kanë zgjedhur nisur nga shifrat e majme financiare. Ndërkohë, ditët e fundit kanë lëvizur gjërat pozitivisht për Jasir Asanin, Armando Brojën, Kristian Shpendin por edhe disa lojtarë të tjerë kuqezinj.
Asani zyrtarizohet në Iran
Jasir Asani do të jetë pjesë e klubit të Esteglal në Iran duke filluar që nga janari i vitit 2026. Futbollisti do t’i bashkohet klubit iranian pasi të mbyllë kontratën me Guangju në Korenë e Jugut, duke nisur kësisoj një aventurë të re në karrierën e tij. Klubi iranian ishte ai që bëri publik akordin mes palëve, ndërsa më pas, u prezantoi tifozëve të vet blerjen e re me një video ku shfaqeshin golat spektakolarë të shënuar nga Asani. Një video që ka sjellë shumë reagime të tifozëve, por edhe një koment nga vetë Asani i cili u është drejtuar atyre me një mesazh të shkurtër. “Shihemi së shpejti’, ishte fraza e tij për mbështetësit e shumtë të Esteglal. Pas negociatave mes Esteglal dhe anësorit të sulmit shqiptar Jasir Asani, lojtari firmosi një kontratë me Esteglal për një sezon e gjysmë dhe do të bashkohet me Esteglal sapo të mbarojë kontrata me klubin e tij aktual korean Guangju. Lojtari ka kontratë me klubin korean deri në janar dhe drejtuesit e Esteglal po mundohen që të sigurojnë që lojtari t’i bashkohet klubit para fundit të saj.
Shpendi bie në “radarët” e Fiorentinës
Klubi i Fiorentinës është kthyer në merkato në kërkim të një sulmuesi. Pasi është siguruar se Moise Ken nuk do të largohet nga vjollcët, tashmë trajneri Stefano Pioli kërkon një alternativë cilësore për të. Sipas mediave italiane, kërkohet një lojtar i cili të pranojë rolin e “dytësorit”, që do të thotë t’i japë mundësinë herë pas herë titullarit Ken që të pushojë, apo të luajë rolin e zëvendësuesit të tij gjatë ndeshjeve. Një nga alternativat që po shqyrtohet është edhe ajo e Kristian Shpendit. Djaloshi shqiptar ka shkëlqyer te Çezena dhe ka treguar se mund të luajë çdo rol në repartin e avancuar. Ndaj te Fiorentina, ku e ndjekin prej kohësh, po e shohin si një nga prioritetet mbi të cilat mund të vihen në lëvizje në ditët e ardhshme.
Ismajli nga më të vlerësuarit te Torino
Ardian Ismajlit i kanë mjaftuar pak ditë në stërvitje dhe në miqësoret me skuadrën e Torinos për të marrë vlerësimet e para nga shokët e skuadrës. Dhe një prej tyre vjen nga Gujermo Maripan, mbrojtësi i skuadrës së Serisë A i cili është njëkohësisht edhe kapiteni i përfaqësueses së Kilit. Duke folur për “Tuttosport”, ai ka komentuar fazën përgatitore që po kryente ekipi, si dhe është ndalur në emra të veçantë, përfshirë edhe Ismajlin i cili ishte një ndër afrimet e para të merkatos verore. “Kanë mbërritur lojtarë të fortë të cilët duhet të ndihmojnë ekipin për të rritur nivelin. Kam luajtur me Ismajlin në mbrojtje dhe mund të them se është i fortë. Në fushë komunikon mirë dhe kjo është thelbësore për një mbrojtës qendre”, ishin fjalët e Maripan rreth përshtypjeve që i kishte lënë loja me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare.