Në fund, gjithçka rezultoi një keqkuptim i madh. Hakan Çalhanoğlu nuk do të largohet nga Interi, do të qëndrojë në Milano edhe për sezonin e ardhshëm, duke respektuar kontratën e tij aktuale. Nuk ka pasur asnjë dëshirë nga ana e lojtarit për t’u larguar dhe, mbi të gjitha, nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me klubet turke, as me Galatasaray dhe as me Fenerbahçe, pavarësisht zërave mbi një derbi merkatoje për rikthimin e mesfushorit në atdhe.
“Nuk ka pasur asnjë bisedim me klubet turke dhe Hakan do të luajë tek Interi sezonin tjetër”. Kështu deklaroi Gordon Stipic, një nga menaxherët e Çalhanoğlu, duke iu dhënë fund përfundimisht thashethemeve që ndezën verën zikaltër, me tensione të shfaqura publikisht edhe mes lojtarëve të Chivu. Deklaratat e menaxherit u bënë më 22 korrik për televizionin shtetëror turk “TRT Sport” dhe vijnë pas sqarimeve të mëparshme nga drejtuesit e Interit.
“Nuk ka pasur takime me asnjë nga klubet e përmendura… Nuk kemi zhvilluar biseda me Fenerbahçe, mund të them se nuk kemi pasur kontakte as me Galatasaray. Të gjithë këto zëra janë të pabazuar. Ka shumë telefonata dhe kontakte në këtë periudhë, gjë normale në një merkato, – sqaroi Stipic, i cili nuk nguroi të lëshojë një thumb për burimet e lajmeve: – Në këtë fazë duhet një komunikim më i qartë dhe i rrjedhshëm nga ata që marrin vendimet”.
Pra, tratativat për Çalhanoğlu nuk ekzistojnë, ose më saktë, nuk kanë ekzistuar kurrë. “Në ADN-në e tij ekziston një identitet shumë i fortë turk dhe nuk e mohoj që Hakan si fëmijë simpatizonte Galatasaray, – shtoi Stipic, – por sot nuk ka asnjë ofertë konkrete dhe, sipas informacionit tim, klubi ka plane të tjera”. Interi do të vazhdojë të mbështetet tek ai: “Hakan është i lumtur në Milano dhe do të luajë përsëri për Interin”.
Gjithçka nisi nga disa deklarata që erdhën nga Turqia gjatë Botërorit për Klube, kur Çalhanoğlu u kthye në Milano për shkak dëmtimi, në marrëveshje me klubin, dhe më pas udhëtoi drejt Stambollit për të marrë pjesë në një dasmë.
Thuhet se ai kishte kërkuar nga Interi leje për t’u larguar, çka shkaktoi polemika që përfshinë edhe Lautaro Martínez, si dhe reagime të ashpra nga turku. Një situatë që për pak dukej se do të shpërbënte “ishullin e lumtur” zikaltër, tashmë pa Inzaghin, por që më pas rezultoi thjesht një farsë verore.
Interi nuk e mbylli derën për një shitje, ndërsa nga Turqia vazhdonin të vinin jehona ofertash mediatike nga Galatasaray fillimisht dhe më pas nga Fenerbahçe. Derisa ndërhyri vetë menaxheri për të sqaruar gjithçka.
Çalhanoğlu, “telenovelës” i vjen fundi: “Nuk largohet nga Interi, asnjë kontakt me Galatasaray apo Fenerbahçe”
