Marrëveshja Rama- Meloni, “Sigurimet Shoqërore” në Itali sqarojnë procedurat për të përfituar pensionin

Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore në Itali (INPS) njoftoi se tashmë dispozitat e Marrëveshjes dhe Rregullimit Administrativ ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë në lidhje me sigurimet shoqërore kanë hyrë në fuqi.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar në Romë më 6 shkurt 2024 dhe e ratifikuar me Ligjin Nr. 29 të datës 11 mars 2025, shënon një hap thelbësor përpara në mbrojtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore të punëtorëve dhe pensionistëve në të dy vendet. Ajo do të sigurojë që periudhat e punës dhe kontributet e paguara në secilin shtet të njihen dhe të bashkohen për efekt pensioni.

Si ndryshojnë procedurat e aplikimit për pension?

Me hyrjen në fuqi të këtyre rregullave të reja, procedurat e aplikimit për pension do të modifikohen si më poshtë:

  • Për shtetasit italianë në Shqipëri, aplikimet për pension, qoftë sipas marrëveshjes italo-shqiptare apo sistemit kombëtar/autonom shqiptar, duhet të dorëzohen ekskluzivisht në internet. Këto aplikime do të trajtohen nga zyra territoriale kompetente e INPS-it në Itali, e përcaktuar në bazë të vendbanimit të aplikantit ose, për punonjësit publikë, në bazë të punëdhënësit të fundit.
  • Për shtetasit shqiptarë në Itali, kërkesat për pension, si sipas marrëveshjes ashtu edhe sipas regjimit kombëtar/autonom italian, duhet të dorëzohen nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore Shqiptare (ISSH). ISSH-ja do t’i përcjellë ato më pas në qendrën e specializuar në Zyrën Provinciale të INPS në Perugia.

Dokumentacioni i nevojshëm dhe procedurat e verifikimit

Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet dokumentacionit, sidomos për periudhat e punës në Shqipëri ku përfshihet deklarata e historikut të punësimit. Për periudhat e sigurimit të përfunduara në Shqipëri para vitit 2012, është e detyrueshme të bashkëngjitet një “Deklaratë e Historikut të Punësimit” në aplikim, së bashku me çdo dokumentacion shtesë (të dhëna punësimi, etj.).

Pas kësaj nis procedura e verifikimit.

“Siç është sqaruar në Qarkoren Nr. 106 të vitit 2025, zyra kompetente e INPS-it në territor duhet thjesht t’ia përcjellë këtë dokumentacion institucionit shqiptar (ISSH) për verifikimet e nevojshme.”, informon Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore në Itali.

Kopja e dokumentit të identitetit është gjithashtu e domosdoshme të bashkëngjitet një kopje e dokumentit të identitetit shqiptar për të lejuar institucionin shqiptar të identifikojë me saktësi aplikantin.

Këto procedura të reja synojnë të sigurojnë qartësi dhe qëndrueshmëri më të madhe në menaxhimin e aplikimeve për pensione, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe duke siguruar mbrojtje më efikase të të drejtave të pensioneve për qytetarët e të dy vendeve.