Shqipëria nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në transfertë ndaj Letonisë, në ndeshjen e katërt kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Me rezultatin e marrë sot, për fat të keq mund të themi që Kombëtarja jonë i ka dhënë fund shpresave për të zënë vendin e dytë në grup.
Minutat e para kanë qenë më të mira për kuqezinjtë, por vendasit patën shansin e artë për të kaluar të parët në avantazh. Në minutën e 17-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, letonezët zënë në befasi mbrojtjen tonë dhe Kumbulla pengon sulmuesin e Letonisë, Gutkovskis, brenda zonës, arbitri jep 11 metërsh.
Thomas Strakosha kthehet në hero dhe pret penalltinë e goditur nga Ikaunieks. Në minutën e 29-të është zhbllokuar rezultati, Shqipëria kalon në avantazh. Arbër Hoxha kroson në krah dhe pas një dyluftimi mes Manaj dhe portierit dhe mbrojtësit letonez, topi përplaset në këtë të fundit, Antonijs Cernomordijs, dhe përfundon në rrjetë. UEFA në faqen e saj zyrtare e quajti autogol dhe jo gol të Manaj.
Pjesa e parë mbyllet në shifrat 1-1. Në pjesën e dytë, edhe pse kuqezinjtë dominuan lojën, nuk arritën dot të gjenin golin e avantazhit. As zëvendësimet e bëra nga Sylvinho, nuk dhanë ndonjë rezultat efektiv. Rezultati përfundimtar, Letoni-Shqipëri 1-1. Në ndeshjen tjetër të grupit tonë, Serbia bëri detyrën në shtëpi duke fituar 3-0 ndaj Andorrës.
Pas 4 ndeshjesh, Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e dytë me 5 pikë, ndërsa Serbia renditet e treta me 4 pikë, por ka dy ndeshje më pak se kuqezinjtë. Vendi i parë mbahet nga Anglia me 9 pikë, ndërsa Letonia në vendin e katërt me 4 pikë dhe mbyll Andorra me 0 pikë.
Merr fund ëndrra për kualifikimin në Botëror, Shqipëria nuk shkon më shumë se barazimi ndaj Letonisë
