Luis Enrike, strategu që shkatërroi Interin në Mynih, futet në rangun e teknikëve të mëdhenj

Adriatik BALLA
Luis Enrike duhet të quhet vizionar, pasi orkestroi shkatërrimin 5:0 të Interit në finalen e Ligës së Kampionëve, të shtunën mbrëma në Munih. Ndeshja ishte aq e njëanshme saqë i ngjante një seance stërvitore kundër një ekipi amator, e jo ndeshje ndaj skuadrës që ka fituar tri herë kupën evropiane. Pasime, lëvizje, energji. Presing i pandalshëm, sulmues që tërhiqen për të mbrojtur, lojtarë të krahut që ruajnë mbrojtësit e krahut. Të gjitha këto atribute u shfaqën në Munih, ndërsa Luis Enrike iu bashkua listës elitare të trajnerëve që fituan Ligën e Kampionëve me më shumë klube. Suksesin i parë i tij në Champions ishte me Barcelonën në vitin 2015.
Ajo finale ndaj Juventusit kishte përfunduar 3:1, por fitorja e së shtunës ishte më e ëmbël. “Është koha për një festë të madhe dhe për të shfrytëzuar sa më shumë këtë moment”, ka thënë Luis Enrike pas ndeshjes. “Ndjeva lidhjen me lojtarët dhe tifozët. Mendoj se ishte një lidhje shumë e fortë gjatë gjithë edicionit”. Para ardhjes së Luis Enrikes, në fillim të edicionit të kaluar, një punë e tillë grupore dhe shpirti ekipor nuk ishin shenja dalluese të PSG-së. Parisi në një mënyrë kënaqej që kishte në përbërje yje si Nejmar, Thiago Silva, Lionel Mesi, Edinson Kavani, Zlatan Ibrahimoviç dhe Kilian Mbape.
Të gjithë lojtarë të mirë, disa madje të shkëlqyer, por që erdhën e u larguan pa fituar çmimin kryesor të futbollit evropian. Si pasojë, padurimi i pronarëve nga Katari bëri që të ketë ndryshime të shpeshta të trajnerëve. Kur Luis Enrike erdhi, ai me guxim shkoi në drejtim të kundërt të asaj që pronarët e PSG-së kishin bërë që kur morën drejtimin e klubit 14 vjet më parë. Nuk kishte të bënte më me angazhimin e sa më shumë yjeve dhe kënaqjen e tyre. Edhe më e rëndësishme, nuk kishte të bënte me lojtarët që po vinin, por me ata që po shiteshin. Nejmar dhe mesfushori Marko Verrati u larguan. Ata ishin shpesh në media për stilin e jetës dhe festat. Pastaj erdhi tronditja më e madhe – largimi i superyllit Mbape për te Real Madridi.
Në një natë me shi vjeshte në Londër, Osmane Dembele u mbajt jashtë lojës nga Luis Enrike dhe PSG-ja humbi 2:0 nga Arsenali në një paraqitje shumë të zbehtë. Enrike e bëri të qartë se po kërkonte përkushtim në skuadër dhe kjo ishte e panegociushme. Dembele nuk tha asgjë. Disa muaj më pas ai u transformua në një golashënues të shkëlqyer dhe tani është fitues potencial i “Topit të Artë”. Tifozët e PSG-së mbajtën lart një baner me emrin e Xanës, vajzës së Enrikes. “Është këtu çdo ditë të jetës sime”, tha ai për vajzën e ndjerë.