Etrit Berisha tregon “recetën” ku e mori përvojën e gjuajtjes së penalltive

Adriatik BALLA
Trajneri Silvinjo nuk e ftoi në këtë grumbullim, por Etrit Berisha me prova po dëshmon se është portieri i duhur, gjë që e tregoi finalja e kupës së Suedisë. Kështu, afro dy muaj më parë Etrit Berisha u transferua te Hakeni, kurse portieri shtatlartë ishte pa klub për nëntë muaj. Tani Berisha është kthyer në hero të skuadrës elitare të Suedisë. Ai priti dy penallti dhe realizoi një tjetër në triumfin në Kupën e Suedisë ndaj Malmos. Ndeshja finale pas 120 minutave u mbyll pa gola dhe merita për këtë pati portieri me shumë përvojë.
Berisha ka përvojë sidomos në futbollin italian te skuadra si Lacio, Atalanta, SPAL-i, Torino e Empoli. Berisha prej kohësh është shquar me pritje të mira të penalltive dhe realizim të tyre. Por cili është tregimi që fshihet prapa këtyre sukseseve të portierit prishtinas? Berisha bën të ditur se kjo është arritur falë Henrik Rydstromit, trajnerit të Malmos. Berisha ka qenë bashkëlojtar me Rydstormin te skuadra e Kalmarit shumë kohë më parë. Për trajner e kishin Nane Bergstrandin.
“Këto i kam mësuar nga Henke. Ai i gjuante penalltitë te Kalmari dhe pas një ndeshjeje që e luajtëm kundër Malmos, ishte thuajse e njëjta situatë si kjo e finales. Ka qenë Nane i cili në atë kohë ka thënë se duhet të bëhesha ekzekutues i penalltive pasi kisha shënuar shumë gola në stërvitje. Dhe ai tha se këtë gjë mund ta bëj shumë mirë. Kam shkuar para, shënova dhe e fituam atë ndeshje. Ishte thuajse e njëjta gjë si sot”, ka deklaruar pas finales së Kupës, Etrit Berisha.
Përgëzimet
Nuk kanë qenë vetëm tifozët e Hakenit që e përgëzuan Berishën për paraqitjen në finalen e Kupës. Ishte edhe trajneri i Malmos, Rydstrom, që e vlerësoi shumë 36-vjeçarin dhe e quajti hero të Kupës. Është një epitet i cili i pëlqen edhe portierit. “Henke është model për mua dhe për të gjithë futbollistët të cilët e njohin atë. Ai ka qenë kapiteni im dhe ndoshta më i miri që e kam pasur në gjithë karrierën time. Është pak keq që luajtëm kundër njëri-tjetrit në finale. Por, këtë nuk e kam menduar shumë gjatë ndeshjes. Kam provuar vetëm të fokusohem në pritjen e penalltive dhe në situata të tjera”, thotë Berisha. Me triumfin në Kupë Hakeni do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës. “Kjo është gjë shumë e mirë. Është gjëja më e mirë që kam mundur ta bëj për klubin dhe jam i lumtur sepse kemi lojtarë shumë të mirë. Mendoj se do të bëjmë mirë në ndeshjet në Evropë dhe jam i lumtur”, ka përfunduar Berisha.
Muçit i vijnë oferta të majme
Ndërkohë që Berisha po merr elozhe në shtyp për performancën e tij, një tjetër futbollist i Kombëtares po merr vëmendje në merkato. Kështu, Ernest Muçi po monitorohet nga klube italiane dhe gjermane. Beshiktashi kërkon plot 10 milionë euro për shitjen e kartonit të sulmuesit, siç raportohet në Turqi. Kjo shumë përkon me shpenzimin e kryer nga klubi turk te Legia, pikërisht në shkurtin e vitit 2024. Beshiktashi pretendon të rifitojë shumën e investuar në këtë mënyrë. Muçi ka luajtur 54 ndeshje në Turqi. Gjatë kësaj kohe ka gjetur rrugën e rrjetës 11 herë dhe ka asistuar 4 gola. Kontrata e Muçit përfundon në vitin 2027. Kështu edhe Beshiktashi pritet t’i marrë maksimumin në rast të shitjes së kartonit këtë verë.