Adriatik BALLA
Kombëtarja pritet të nisë ditët e përgatitjeve për ndeshjen e 7 qershorit kundër Serbisë. Shpresat e përfaqësueses janë sidomos tek kontigjenti që luan në Itali, si Gjimshiti, Asllani, Ramadani e ndonjë tjetër, ndaj Silvinjo fokusohet më shumë tek ky grup lojtarësh. Ndërkohë, atmosfera sa vjen e ndizet. Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka pritur të mërkurën në kabinetin e tij kapitenin e Shqipërisë në futboll, Berat Gjimshiti. Pasi i ndahu mirënjohjen, kryetari Pajaziti, pati edhe një porosi për mbrojtësin e Shqipërisë dhe Atalantës. “Duhet ta mposhtësh Serbinë”, iu drejtua Pajaziti mbrojtësit Gjimshiti. I menjëhershëm në përgjigje ishte edhe Gjimshiti. “Me kësmet”, tha shkurt Gjimshiti. Pas përgjigjes së Gjimshitit një prej pranishmëve në takim kërkoi nga Pajaziti të përsëriste edhe njëherë kërkesën e tij. E pasi Pajaziti përsëriti se pret të mposhtin Serbinë, Gjimshiti ktheu sërish një përgjigje të shkurtër. “Do Zoti”, ka thënë Gjimshiti. Ndeshja Shqipëri – Serbi zhvillohet në Tiranë dhe i takon kualifikimeve për Botërorin 2026. Ndeshja e 7 qershorit në Arenën Kombëtare pritet me interesim shumë të madh.
Asllani mund të bëhet kuqeziu i parë që fiton Chamions League
Finalja e Ligës së Kampionëve po afrohet. Të shtunën PSG-ja dhe Interi luajnë në “Allianz Arena” finalen e madhe të UEFA Champions League. Shtatë lojtarë mund të bëhen të parët që e fitojnë këtë kompeticion në shtetet e tyre. Duke nisur nga Kristjan Asllani, që mund të bëhet lojtari i parë shqiptar që luan te Shqipëria dhe që fiton këtë kompeticion. Pas tij te Interi vijnë lojtarët si: Mkhitaryan (Armenia), Taremi (Irani) dhe Calhanoglu (Turqia). Kurse te Paris San Zhermen, janë: Pacho (Kolumbia), Kang-in Lee (Korea) dhe Hakimi (Maroko).
Dakun e kërkojnë disa klube në treg
Ndërkohë që Kombëtarja do të nisë ditët e grumbullimit për dy ndeshjet e qershorit në eliminatoret e Kupës së Botës, për Mirlind Dakun ka lajme pozitive në treg. Ndërkohë, dje, drejtuesit e Lokomotivës së Moskës, kanë deklaruar se nuk po e shqyrtojnë mundësinë e transferimit të sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, për 10 milionë euro. Drejtori i Lokomotivës, Vladimir Leonçenko, ka thënë se, nuk janë të gatshëm të shpenzojnë 10 milionë euro për Dakun. “Ne e hedhim poshtë menjëherë”, ka thënë Leonçenko, raporton “rusfootball.info”. Gjatë afatit kalimtar të dimrit, disa mediume ruse raportuan për interesimin e Lokomotivës për sulmuesin e Rubin Kazanit. Megjithatë, transferimi nuk u realizua. Për interesimin e skuadrave të ndryshme, ka folur të mërkurën edhe babi i Mirlindit, Fehmi Daku. “Rubin Kazani ka pranuar oferta për Mirlindin, por të gjitha diskutimet do të zhvillohen pas ndeshjeve ndërkombëtare të shteteve. Djali im do të diskutojë gjithçka me klubin pasi të kthehet nga ekipi kombëtar i Shqipërisë”, ka thënë Fehmi Daku për sajtin rus “Sport 24”. Daku është ftuar te Shqipëria për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Serbisë më 7 qershor dhe Letonisë më 10 qershor. Sulmuesi kuqezi e mbylli sezonin në Rusi me 15 gola dhe 8 asistime.
Kryetari i Bujanocit “urdhër” Berat Gjimshitit: Mundeni Serbinë!
