Sulmuesi i Liverpool, Mohamed Salah, nuk po mendon të tërhiqet nga futbolli. Asi egjiptian sapo mbylli një sezon që i solli 29 gola dhe 18 asistime. Shifra këto të arritura në moshën 32-vjeçare.
Aq sa “reds”, pas negociatave të gjata, arritën ta bënin të rinovonte kontratën, për ta larguar nga tundimet e arta të Arabisë Saudite. I intervistuar nga kanali televiziv egjiptian ON Sports, Salah foli për mundësinë e pensionimit të tij nga futbolli.
“Do të ndaloj së luajturi kur të kem atë ndjenjën që më bën të kuptoj se duhet të bëj një hap prapa. Por nëse më pyesni. për mendimin tim, mendoj se mund të luaja deri në moshën 39 ose 40 vjeç. Kam arritur shumë objektiva në karrierën time”, tha Salah.
Më pas ai rrëfeu për negociatat me klubet në Pro Ligën Saudite: “Ishte një mundësi e mirë për mua. Nëse nuk do të rinovoja me Liverpool atëherë transferimi do të kishte ndodhur”.
“Marrëdhëniet e mia me drejtuesit e Ligës Saudite Pro janë shumë të mira. Kemi biseduar shumë dhe negociatat ishin serioze“, shtoi Salah.
Së fundi, ai për të ardhmen: “Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por jam i lumtur këtu në Liverpool dhe do të qëndroj këtu për dy vitet e ardhshme. Pastaj do të shoh se çfarë do të bëj“.
Salah: Nuk po mendoj për tërheqjen, do të luaj edhe dy vite me Liverpool e më pas të shohim
