“Gabim që po e pamundësojnë…”/ Reagon ashpër Kryeministri Kurti: Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë

Për herë të 22-të radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Vetëm 54 deputetë kanë votuar pro, nga 61 vota që duhen. Një ka votuar kundër, ndërsa abstenim s’ka pasur. Dhe në seancën e sotme nuk u arrit të siguroheshin votat e nevojshme për ngritjen e Komisionit të Mbikëqyrjes për një votim të fshehtë.
Pas dështimit të seancës ka reaguar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka deklaruar se Kuvendin nuk e konstituon fituesi por të gjithë, ndryshe nga formimi i Qeverisë, që e sheh si përgjegjësi të partisë së tij Vetëvendosje.
“Kosova ka qeveri në detyrë, unë jam kryeministër në detyrë. Ajo që i ndihmon Kosovës është Kuvendi i ri i Republikës. Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë. Si fitues të zgjedhjeve me 48 deputetë dhe me 9 deputetë të pakicave që na janë bashkuar, e kemi përgjegjësinë për ta formuar qeverinë.
Pra, fituesi e ka përgjegjësinë për formimin e qeverisë. Ndërkaq, për ta konstituuar Kuvendin, përgjegjësinë e kanë të gjithë deputetët dhe po bëjnë gabim që po e pamundësojnë kuorumin për votimin e fshehtë”.