Deputetët e Kosovës, dështuan sërish të konstituiojnë Kuvendin edhe në përpjekjen e 22-të këtë të martë.
Dështimi për të bërë funksional Parlamentin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Dështimet e njëpasnjëshme vijojnë njësoj pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.
Edhe në seancën e kësaj të marte, deputetët refuzuan formimin e komisionit për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Votimi i fshehtë i cili është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje kundërshtohet nga partitë e tjera me argumentin se është antiligjor.
Lidhur me këtë çështje pritet të vendosë Gjykata Kushtetuese pas një kërkese dërguar disa javë më parë.
Seanca e rradhës do të vazhdojë të enjten e 29 majit.
Nga ana tjetër janë shtuar zërat për një koalicion të mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovë megjithëse nuk ka asnjë shenjë nga asnjëra prej partive.
Numrat e LVV dhe PDK së bashku do të zgjidhnin ngërçin e Kuvendit dhe do të ishin mjaftueshëm gjithashtu edhe për formimin e qeverisë së re./vizionplus.tv
