Silvinjo: Dueli me Serbinë i veçantë, kemi shanset tona

Adriatik BALLA
Braziliani Silvinjo doli dje në konferencë për shtyp, pas publikimit të listës me 27 lojtarët e grumbulluar për dy sfidat e rëndësishme kundër Serbisë dhe Letonisë. Tekniku foli për zgjedhjet e tij, gjendjen fizike dhe formën e lojtarëve të thirrur, si dhe për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve. Ai u ndal veçanërisht te përballja me Serbinë, duke e cilësuar një ndeshje të fortë, që kërkon përqendrim maksimal dhe përgatitje të detajuar. “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme.
Do të jenë të rëndësishëm të 27 lojtarët, mesazhi i parë është që kemi nevojë për të gjithë. Janë dy ndeshje shumë të vështira për të harxhuar shumë energji. Të përqendrohemi te e para, Serbia. Nuk është ndeshje normale, e di, e njoh historinë. Por ne duhet të përqendrohemi te loja, duhet të bëjmë mirë, të jemi skuadër që lufton me zemër dhe shpirt, të mos humbim identitetin, të shkojmë në fushë e bëjmë futboll. Jam dakord që është ndeshje që duhet përgatitur mirë, e vështirë, por ne kemi shanset tona”, theksoi Silvinjo.
Shanset me serbët
Silvinjo foli më pas për rivalin e radhës, ekipin serb, të cilin tha se e ka parë duke luajtur, e njeh si skuadër dhe beson se ndaj tyre do të jetë e vështirë. “Janë dy ndeshje të forta, të vështira dhe fizike. Të dyja skuadrat kanë lojtarë të gjatë, kanë centimetra, fizikisht të forta. Për t’u përballuar kjo ndeshje, ti duhet të harxhosh shumë energji.
Ne do të punojmë mbi mundësitë tona, jemi përmirësuar, kemi lojtarë të rëndësishëm, shumë prej tyre po kalojnë një moment të mirë. Kemi mundësi, duhet të punojmë mbi këtë, të përgatisim mirë të dyja ndeshjet. Futbolli luhet në 90 minuta dhe mund të ndodhë çdo gjë. Kemi pasur një rrugëtim vitin e fundit, duke luajtur me ekipe shumë të forta, por edhe serbët kanë luajtur me kundërshtarë të fortë. Ata janë një skuadër fizike, rinisin mirë, kanë cilësi teknike, por ne duhet të përballemi mirë dhe kemi mundësitë tona”, shtoi Silvinjo.
Ndeshje nervash me Serbinë
E pranoi edhe Silvinjo dje se përplasja me serbët mund të marrë karakter emotiv, ndaj duhet përgatitje psikologjike. “Jam i sigurt që duhet të punojmë për këtë aspekt, është ndeshje speciale. Por të mos harrojmë që shkojmë në fushë dhe aty është sport, 90 minuta. Duhet të përgatitemi shumë mirë për të përballuar të dy ndeshjet. Kam nevojë për 27 lojtarë me shumë dëshirë për të shkuar në fushë, për të vrapuar e lënë zemrën e shpirtin, nuk kemi rrugë tjetër”, nënvizoi ai. Më tej Silvinjo komentoi objektivat. “Teorikisht, në letër është vendi i dytë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka.
Ne duhet të punojmë mbi gjithçka që mund të marrim. Ky është mesazhi; kam nevojë për çdo minutë të lojtarëve, që në stërvitje. Fusha flet. Unë dua të shoh lojtarë që vrapojnë, që bëjnë çdo gjë që kemi bërë, akoma edhe më shumë, edhe më shumë zemër e shpirt. Kjo është karakteristika e skuadrës sonë, nuk duhet ta humbim. Duhet të jemi të sinqertë, Anglia është ekip shumë i fortë. Në futboll mund të ndodhë çdo gjë, është lojë, është gjithçka e shpejtë. Ne duhet të përqendrohemi te vetja jonë, pastaj ta shohim”, përfundoi Silvinjo.