Fillon “spastrimi”, Man. United zyrtarizon 3 largimet e para

Pas një sezoni komplet të dështuar, Manchester United ka nisur direkt nga puna për të formatuar ekipin për sezonin e ardhshëm. “Djajtë e Kuq” do të bëjnë disa përforcime në merkaton e verës, por së pari duhen bërë largimet e nevojshme.
Përmes një deklarate në faqen zyrtare të klubit, Manchester United ka bërë me dije se Victor Lindelöf, Jonny Evans dhe Christian Eriksen nuk do të jenë më pjesë e “Djajve” për sezonin e ri. Kontrata e secilit prej tyre përfundon në fund të këtij sezoni dhe klubi ka vendosur që të mos rinovojë me asnjërin prej tyre.
Lindelöf, i cili mbërriti në Manchester në vitin 2017 nga Benfica, largohet pas tetë sezonesh dhe 284 ndeshjesh zyrtare. Për suedezin ka interes nga disa ekipe në Premier League, po ashtu edhe në La Liga. Jonny Evans, nga ana tjetër, përfundon periudhën e tij të dytë në klubin që e rriti. Pas kthimit në vitin 2023, qendërmbrojtësi i Irlandës së Veriut u ndje përsëri i rëndësishëm dhe e mbylli karrierën me “Djajtë e Kuq” me 241 paraqitje, duke shtuar një tjetër Kupë FA në listën e tij të gjerë të arritjeve me këtë klub.
Përsa i përket Eriksen, mesfushori danez i prekur këtë sezon nga disa probleme fizike, i dha lamtumirën me stil duke shënuar golin e fundit të vitit nga pika e bardhë e penalltisë. Për 33-vjeçarin pritet të ketë një rikthim në Danimarkë, para se t’i japë fund karrierës.