Igor Tudor do ta drejtojë Juventusin në Botërorin për Klube. Pas deklaratave të forta të dielën mbrëma, përpara kamerave, ku trajneri kroat vuri në dyshim praninë e tij në SHBA nëse nuk rikonfirmohet në stolin bardhezi për sezonin e ardhshëm, ka pasur një takim sqarues me Cristiano Giuntolin.
Kjo ka ndodhur menjëherë pas ndeshjes me Nevezia dhe, të hënën në mëngjes, agjenti i tij, Anthony Seric, ka folur për “Sky Sport”: “Reagimi i Tudor ishte një shpërthim emocional, i diktuar nga tensioni i një objektivi të arritur me vështirësi, por brenda një klime të qetë në klub.
Igor ka marrëdhënie shumë të mira me Giuntolin dhe të gjitha strukturat e klubit. Pas intervistave ‘në të nxehtë’, ai dhe Cristiano folën shtruar. Tudor do ta respektojë angazhimin e marrë për ta udhëhequr Juventusin në Botërorin për Klube”.
Agjenti i kroatit u mundua të ishte sa më i qartë: “Nuk do t’i bëjë presion klubit për vendimet mbi të ardhmen, sepse shpreson qartësisht të jetë trajneri i Juventusit edhe sezonin e ardhshëm. Pra, Tudor do të respektojë kohët e klubit për marrjen e një vendimi.
Nuk i është komunikuar asgjë ndryshe. Tudor e ndjen veten juventin, ka punuar me shumë pasion dhe profesionalizëm gjatë këtyre muajve, gjë që dëshmon lidhjen e tij të madhe me botën bardhezi”.
Agjenti “redakton” Tudor: Do të jetë në Botërorin e Klubeve, asnjë presion ndaj Juventusit
