Benitez “kurorëzon” Napolin: Askush nuk e besonte, por ja si triumfoi ndaj Interit

“Napoli arriti atje ku askush nuk do ta kishte menduar. Një skuadër e madhe, siç po e dëshmon tashmë prej më shumë se një dekade, që lufton për objektiva të denjë për vlerën e lojtarëve dhe trajnerëve të saj, por edhe të klubit”. Kështu u shpreh Rafa Benitez në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, pak ditë pas shpalljes kampion të Napolit dhe Antonio Contes.
“Kështu, pa nxitim dhe pa u ndalur, iu afrua Interit, e kapi, e parakaloi, i rezistoi rikthimit, e përmbysi sërish dhe e mori titullin e katërt kampion. Dhe kush fiton, ka gjithmonë të drejtë. Ishte një fund i mrekullueshëm kampionati, reklamë fantastike për futbollin italian”, – vijoi ish-trajneri i Real Madridit, Interit dhe Napolit ndër të tjera.
Duke folur për futbollin, që mund të befasojë dhe të përmbysë çdo parashikim, spanjolli shtoi: “Ndonjëherë po, ndonjëherë jo. Por nëse arrin i pari pas 38 javësh kampionat, verdikti është e vërtetë e pakundërshtueshme. Sigurisht, secili mund ta interpretojë në mënyrën e vet.
Që Interi ishte, në letër, favoriti kryesor për titullin, ky është një mendim i përbashkët. Dhe që Interi i ka shpërdoruar disa mundësi, mendoj për ndeshjen me Lazion, por edhe për ato me Romën dhe Bologna, kjo është po ashtu e vërtetë.
Sidoqoftë, edhe Napoli ka lënë pikë rrugës, ka marrë vetëm një pikë në Parma dhe një tjetër në shtëpi ndaj Genoa. Nëse e kujtojmë, çdo javë dyshohej se dikush kishte ‘match point’ në duar”.