Ançeloti mbyll një epokë, lë Realin e Madridit dhe shkon të marrë drejtimin e Brazilit

Adriatik BALLA
Karlo Ançeloti ka deklaruar se lidhja e tij me Real Madridin “është e përjetshme” ndërsa përgatitet të largohet këtë fundjavë nga klubi spanjoll për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Brazilit. Federata Braziliane e Futbollit (CBF) konfirmoi më herët këtë muaj se Ançeloti do të marrë drejtimin e kombëtares nga data 26 maj. Duke e zyrtarizuar këtë lajm, Real Madrid ka konfirmuar se periudha e Ançelotit në “Santiago Bernabéu” do të përfundojë pas ndeshjes së shtunës kundër Real Sociedad. “Klubi ynë dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe dashurinë për një nga legjendat më të mëdha të Real Madridit dhe futbollit botëror,” thuhej në deklaratën zyrtare të klubit. Ançeloti ka fituar 15 trofe gjatë dy periudhave si trajner i Realit, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe La Ligën sezonin e kaluar. Periudha e parë e tij zgjati nga 2013 deri në 2015, ndërsa e dyta nisi në vitin 2021, kur ai u largua nga Everton për të marrë drejtimin e madrilenëve. Kontrata e 65-vjeçarit me klubin madrilen ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2026, por largimi i tij është përshpejtuar dhe ai do të fillojë detyrën e re të hënën.
Në vend të tij, pritet të emërohet Ksabi Alonso, ish-lojtar i Real Madridit, Liverpulit dhe kombëtares spanjolle. Alonso, 43 vjeç, ka konfirmuar largimin nga Bajer Leverkusen dhe Real dëshiron ta ketë në post përpara fillimit të Kupës së Botës për Klube muajin e ardhshëm. Brazili iu drejtua Ançelotit pas shkarkimit të Dorival Junior në mars, pas humbjes 4-1 ndaj Argjentinës në kualifikueset e Kupës së Botës. “Seleção” ndodhet aktualisht në vendin e katërt në grupin e Amerikës së Jugut, me pesë humbje në 14 ndeshje, por është ende në pozita të mira për të siguruar një vend në Botërorin 2026. Ndeshjet e para të Ançelotit si trajner i Brazilit do të jenë në qershor, ndaj Paraguajit dhe Ekuadorit, në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës.
Ndërkohë, Ksabi Alonso tashmë ka shpallur largimin e tij nga Bajer Leverkusen dhe do të prezantohet si trajner i ri i Real Madridit të hënën, pas një homazhi që do t’i bëhet Ançelotit dhe Luka Modriç të shtunën. Më parë, Ançeloti e ka përshkruar punën e Alonsos te Leverkusen si “të jashtëzakonshme”, dhe e ka mbështetur sërish atë në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes. I pyetur nëse kishte ndonjë këshillë për trajnerin e ri, Ançeloti konfirmoi se bëhet fjalë për Alonson: “Nuk dua të jap këshilla sepse secili ka idenë e vet për futbollin. Të jesh trajner i Real Madridit është një bekim. Xabi është i pari – ai është një trajner që i ka të gjitha cilësitë për të drejtuar këtë klub dhe këtë skuadër, dhe i uroj gjithë fatin e botës. Shpresoj që ta shijojë”.