Si shkelet Statuti i FSHB-së për emërimin e Franko Bushatit, Sekretarit më të Përveçëm në detyrë?

Adriatik BALLA
Në një federatë ku gjithçka duket se funksionon mbi interpretime personale të statutit dhe jo mbi zbatimin e tij, kemi sot një figurë të re, por aspak të zakonshme – Sekretari i Përveçëm i FSHB-së, Franko Bushati. Një emër që nuk doli nga një proces i rregullt zgjedhor, por nga një vendim arbitrar, i firmosur në errësirë dhe i mbështetur mbi një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e basketbollit shqiptar. Emërimi i tij nuk i përmbush as kriteret më minimale që përcakton statuti i FSHB-së, specifikisht Neni 29 dhe Neni 30, të cilët përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes dhe kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm. Ky post kërkon një figurë me përvojë administrative dhe njohuri të thelluara në menaxhimin e një federate sportive. Por realiteti i FSHB-së na sjell një sekretar që as ka kaluar në një votim të ligjshëm, as ka një CV të përshtatshme dhe, mbi të gjitha, as nuk di të justifikojë firmat që hedh.
Franko Bushati – Një sekretar pa mandat, por me firmë dhe vulë
Në një federatë ku transparenca është luks dhe ligji zbatohet vetëm kur i intereson dikujt, pyetja kryesore është: Kush i merr vendimet në FSHB dhe mbi ç’bazë? Në rastin e Kamza Basket, sipas informacionit të analizuar, një vendim i njëanshëm me vetëm një firmë ka sjellë dëme të mëdha ekonomike dhe morale për klubin, duke i ndryshuar dinamikën e kampionatit në mënyrë të padrejtë. Një sekretar i emëruar në errësirë dhe pa një bazë të qartë ligjore, nuk mund të ketë autoritetin për të marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e klubeve të Superligës.
Pyetja është e thjeshtë:

A e kupton Franko Bushati se çfarë firmos?
Apo i vijnë letrat të gatshme dhe ai vetëm vendos një firmë, pa qenë i vetëdijshëm për pasojat?

Nëse nuk e kupton, kemi një problem madhor në administrimin e basketbollit shqiptar. Nëse e kupton dhe e bën me vetëdije, atëherë kemi të bëjmë me një abuzim të plotë me detyrën dhe një shpërfillje të hapur të statutit.
Thembra e Akilit për Kamza Basket
Në këtë pikë, marrim për bazë shqetësimin e vetë klubit Kamza Basket. “Vendimi arbitrar i kësaj zyre, me një firmë të vetme, është në kundërshtim me kompetencat e pashkruara dhe jo legjitime mbi çështje të veçanta. Kemi qenë në pritje që strukturat e ngritura nga FSHB të bëhen funksionale, por ato thjesht shkruhen një rresht në uebfaqen e saj, si për të na mbushur mendjen se jemi të strukturuar dhe të përgatitur. Ashtu si shumë të tjera, edhe këtë e shesin nëpër studio duke u bërë qesharakë, deri në kafshim gjuhe.
Jemi në një fazë shumë delikate të kampionatit, dhe Superliga ku Kamza Basket aderon ndjen çdo ditë e më shumë dëm ekonomik dhe moral prej një vendimi të njëanshëm me vetëm një firmë, nga një njeri që nuk përmbush as 1/20 e përshkrimit të punës të pozicionit të tij dhe kompetencave statutore. Nëse Franko Bushati dhe FSHB nuk japin një përgjigje ligjore, të qartë dhe transparente mbi këtë situatë, atëherë basketbolli shqiptar është futur në një rrugë pa kthim. Deri atëherë, kjo thirrje publike mbetet e hapur: Përgjigjuni me ligj dhe jo me manipulime”, tha për gazetën një person i brendshëm i klubit.