Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka vlerësuar lart rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të përparimit të vendit.Në një postim në Facebook, pas pjesëmarrjes në Konferencën Ekonomike të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Hajdari tha se kjo platformë, e cila bashkon qindra biznese shqiptare nga diaspora dhe trojet, është një hap konkret drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.“Diaspora shqiptare si kapital i madh njerëzor, social dhe ekonomik, është një forcë që sjell njohuri, ekspertizë, talent, transferim të dijes dhe teknologjisë, rrjetëzim të bizneseve dhe burime të tjera thelbësore që premtuan shumë për ekonominë e Kosovës,” shkroi ajo.Ministrja nënvizoi se gjatë këtij mandati është rritur mbështetja financiare për sektorin privat dhe janë ndërmarrë reforma të guximshme për përmirësimin e klimës së biznesit, përfshirë reduktimin e burokracisë dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë investitorët.Ajo gjithashtu vuri në dukje përparimet në investimet në parqe industriale dhe teknologjike, duke theksuar se zonat ekonomike ekzistuese janë transformuar dhe funksionalizuar për të shërbyer më mirë bizneseve vendore, të diasporës dhe investitorëve të huaj.“Me progresin ekonomik, demokratik dhe institucional, Kosova ka përjetuar rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe po pozicionohet si një destinacion i ri dhe tërheqës për investimet e huaja të drejtpërdrejta (FDI),” theksoi ministrja.Në fund, Hajdari u bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes bizneseve vendore dhe atyre nga diaspora, duke e cilësuar këtë si “një investim për të ardhmen e ndritur të Kosovës”.
Hajdari: Diaspora, shtyllë e zhvillimit dhe motor për një Kosovë më të fortë
