Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për momentin pozitiv të Raphinha dhe të ardhmen e Frenkie de Jong me klubin blaugrana, duke dhënë përditësime mbi mundësinë e rinovimit të kontratave të tyre.
“E dinim që ishte talent, por çdo lojtar ka nevojë për një periudhë përshtatjeje, disa kanë nevojë për më shumë kohë, – tha Laporta, duke komentuar rritjen e Raphinha. – Puna që Flick ka bërë me të ka qenë e jashtëzakonshme. Ai është bërë lider për këtë skuadër, ndihet shumë mirë në qytet, – shtoi presidenti, duke lavdëruar kontributin e sulmuesit brazilian. – Rinovimi i kontratës së tij është një nga çështjet që duam ta zgjidhim në ditët apo javët në vijim”.
Laporta më pas shpjegoi strategjinë e klubit për kontratat që janë drejt përfundimit: “Nuk duam që asnjë lojtar të qëndrojë pezull kur i mbetet vetëm një vit kontratë. Duam t’ua zgjasim kontratat, sepse e meritojnë. Sigurisht, është në interesin tonë si klub ta ruajmë këtë grup me mentalitet fitues”.
Në lidhje me Frenkie de Jong, Laporta u shpreh: “Kam qenë gjithmonë tifoz i De Jong. Ai është një nga lojtarët që ruan stilin e lojës së Barcelonës, vjen nga shkolla e Ajax-it, ka personalitet të fortë dhe mendoj se po e shijon qëndrimin këtu. Tani që është rikuperuar, po punojmë për ta rinovuar kontratën e tij. Edhe ai është shumë entuziast për të qëndruar, ndërsa ne jemi plotësisht të vendosur të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta mbajtur”.
Laporta për rinovimet e De Jong dhe Raphinha: Shpresojmë t’i zgjidhim shpejt
