Liljana Kalleshi, “mbretëresha” e cirkut shqiptar

Nga Faik Sadiku
Një emër i shquar, për ata që kanë bërë histori, i shtohet rubrikës sime të shkrimeve. Bëhet fjalë për artisten e cirkut shqiptar, me nivelet e larta ndërkombëtarë në ekzekutimin e ushtrimeve të vështira e spektakolare, Liljana Kalleshi. Dje më 18 maj artistja pati ditëlindjen. Në këtë datë ka ditëlindjen edhe djali i saj, Endriti, ndaj familja Kalleshi ka dy gëzime në një ditë. Liljana lindi në vitin 1951, në Sarreq, me nënën me orgjinë nga Podgorica, e nga babai me origjinë nga Paci i Tropojës. Liljana e vogël e nisi dhe e përfundoi 8-vjeçaren në “Vasil Shanto”. Ajo shkollë ishte vatër e gjimnastikës, me një palestër bashkëkohore për kohën. Në atë palestër Lili bëri hapat e parë drejt mjeshtërisë.
Që e vogël ajo dallohej në mes moshatareve të saj si një balerinë e vërtetë. Si një vajzë me talent ajo spikat që në klasë të parë. Pas një viti, ajo nisi të demonstrojë në mënyrë të vetëdijshme ushtrime akrobatike, salto, ekuilibër, e sparkatën. Mjeshtëria e Liljanës në balet, por dhe në cirk, nga dita në ditë merr përmasa të një profesionisteje, e kur mbush 10 vjeç ajo tregoi hegjemoni në ushtrimet akrobatike të asaj periudhe, në raport me shoqet e tjera. Në ushtrimet dhe performancën e saj ra në sy talenti, me numra akrobacie në natyrë, si një talent i vërtetë e si një perëndeshë fluturuese, e një mjeshtre në akrobaci. Po atë vit Liljana, thirret te “Shtëpia e Pionierit”, një vatër me talente në të gjitha sportet. Ajo hyri atje nga pasioni për baletin, por doli prej saj si një perëndeshë e cirkut.
Në momentet e para, ajo stërvitej nga instruktorja Roza Xhuxha, një emblemë e kinematografisë shqiptare, dhe një shkodrane e bukur. Që në javët e para Liljana u bë princeshë e shtëpisë së pionierit në balet, e dallohej mbi të gjitha vajzat. Mrekullia, inteligjenca, guximi, e performanca në interpretim të baletit, por dhe e akrobacisë, përplasi në mes tyre dy instruktorët, Xhuxhen e baletit, e Myftar Tafilin e akrobacisë, zbulim i Liljanës, i cili triumfoi dhe e afroi pa mëdyshje, pranë cirkut në teatrin “Migjeni”. Ishte 10 vjeç, kur për herë të parë ajo takohet me “legjendën” e shtangës, Faruk Kalleshi, një kampion i madh. Oferta për të shkuar në teatër e lumturoi Liljanën.
Sapo shkon në shtëpi, takon të ëmën, dhe i thotë dua të bëhem akrobate. Por nëna, nuk i kthen përgjigje, se duhej të marrë aprovimin, nga babai, i cili u kthye në darkë. Pas lutjeve nga e ëma, babai e miratoi kërkesën e Liljanës, që fluturoi nga gëzimi. Kjo i dha një forcë e kurajo të kalojë drejt mjeshtërisë. Ajo shpejt e kuptoi se ishte padrone e artit të akrobacisë. Shfaqjen e parë të akrobacisë, Liljana e vogël e realizoi te shtëpia e pionierit. Pas 6 muaj stërvitje intensive, nga “Shtëpia e Pionierit”, instruktor Myftari, e dërgon  te “Teatri Migjeni”, në ekipin e akrobacisë, aty ishte Faruk Kalleshi.
Sukses pas Suksesi
Kalimi në “Teatrin Migjeni”, ishte një stad i ri, i kapërcimit profesional për akrobaten e vogël, se në krahë të saj qëndronte Faruku, i cili i jepte siguri e guxim në ekzekutimin e ushtrimeve, që entuziazmonin pa masë spektatorin shkodran. Një jehonë në interpretim ka bërë një numër ekuilibri me dy gota, në ballin e Lilit, duke bërë një lëvizje të vështirë plastike në ekuilibër. Këtë numër të vështirë, ajo e kish përvetësuar nga filmi “Cirku nëpër Botë”, që e përvetësoi menjëherë në mendje, për ta ekzekutuar shkëlqyer e më vonë duke mahnitur spektatorët. Pas numrit me dy gota, ajo realizoi një tjetër performancë më të vështirë ekuilibri, duke shtuar dhe 8 gota, numër të cilin e kishte parë te një cirk rus.
Suksesi ishte i paparë. Spektakolare ishte futja dyfish nga prapa, thyerje plastike në valixhe që mbahej nga Faruku, ai dukej sikur po nisej për udhëtim, në një skeç bashkë me Tano Banushin. Kur valixhja u hap, dhe Lili mezi mori frymë, ajo doli në formë gjarpri, emocionet dhe entuziazmi përshkuan sallën nga spektatorët. Bëmat artistike të Lilit, kishin arritur kulmin, ajo ishte e aftë të realizonte numra të kalibrit të lartë, të artistëve të cirkut botëror. Nga shfaqja në shfaqje ajo fitoi një siguri absolute në ekzekutimin e ushtrimeve të vështira të nivelit të lartë ndërkombëtar. Kjo bëri që shumë shpejt ajo të fitojë statusin e krijueses së ushtrimeve të reja, madje të firmoste në bordero honoraret si krijuese. Në jetën personale lidhja e Lilit me Farukun po ecte mjaft mirë, sepse Lili e Faruku kishin lindur për njeri tjetrin.
Drejtuese në teatrin “Migjeni”
Kështu rrodhën ngjarjet. Ajo, pas tre muajsh drejtim profesional, kaloi direkt si drejtuese e grupit të madh në Teatër, me 40 antarë, ku shumica ishin më të mëdhenj se ajo në moshë. Në atë kohë, shoku i saj i cirkut, Faruk Kalleshi, shkon ushtar te “Partizani”, në vitin 1965. Për Lilin vetëm 14-vjeçare, largimi i Farukut për në kryeqytet ja vështirësoi disi ecurinë e saj, por ajo nuk u step. Ajo ishte edukuar të mos merrte asnjë vendim pa u konsultuar me Farukun, por mungesa e kampionit e bëri më të fortë. Falë karakterit, ajo ia doli të marrë vendimet e vetme. Puna në cirk nga Shtëpia e Pionierit në Teatrin “Migjeni”, i jepnin forcë asaj, por nga ana tjetër fshihte në vetvete, një harresë tinzare e zyrtarëve të asaj kohe, që kishte të bënte në përkrahjen e artistëve të mëdhenj, por për Lilin kjo ishte një harresë e qëllimshme, duke e lënë atë në vështirësi ekonomike të familjes së saj. Nga kjo harresë, e nga kushtet e vështira ekonomike, e vetëm 15 vjeçare, ajo u detyrua të punonte në lavanderi të qytetit ku lante rroba, por kurrë nuk u ankua. Pasdite shkonte në stërvitje, në shfaqje, te shtëpia e Pionierit, e në mbrëmje shpesh herë te teatri “Migjeni”, sigurisht me honorare.
Në shfaqje merr pjesë Enver Hoxha
Kështu vazhdoi me ditë e net, por në një mbrëmje të vitit 1968, në Shkodër u dha njoftimi se do vinte Enver Hoxha. Ai do merrte pjesë në një shfaqje në “Teatrin Migjeni”. Sipas skenarit të numrave të cirkut, numri i Lilit ishte caktuar në fund të shfaqjes. Kur i vjen çasti fatlum i daljes së Lilit në skenë, e më pas numrat akrobatikë të ekzekutuar me mjeshtëri nga ajo, bëri që spektatori shkodran të shpërthejë në brohoritje “bravo, bravo”, për disa minuta. Kjo i tërhoqi vëmendjen Enver Hoxhës, i cili në mes ovacioneve të spektatorit shkodran ngrihet në këmbë, e me duartrokitje përgëzon artisten e shkëlqyer shkodrane ndërkohë ajo përgëzonte gjithë publikun për duartrokitjet. Emocionet e asaj mbrëmje ishin të jashtëzakonshme, ndërsa Enver Hoxha pyeti njërin prej zyrtarëve të qytetit e pikërisht Bilal Parrucën, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, kush është kjo vajzë e talentuar, e ku punon. Bilali i zënë ngushtë i përgjigjet Enverit se kjo vajzë punon në lavanteri, lan rroba.
Udhëheqësi i thotë, mos bëni më këto gabime, menjëherë dërgoje në vendin ku e meriton. Një talent si kjo vajzë nuk na lejohet ne ta shikojmë në një punë të rëndomtë. Të nesërmen Bilal Parruca thërret Liljanën në zyrë. Ai i zënë ngushtë, i thotë që sot je caktuar të punosh në Teatrin “Migjeni” me rrogë të plotë, e do trajtohesh me ushqim në turizëm, pa dallim me sportistët e tjerë të elitës. Të nesërmen ajo hyn në teatër, aty u publikua i plotë vlerësimi i Enver Hoxhës në librin e përshtypjeve, me këto fjalë. “Më pëlqeu shfaqja, por më shumë numri i cirkut të akrobates së talentuar Liljana Musaja Paci, artiste e madhe e cirkut. Pas kësaj shfaqje Liljanës i hapet porta për suksese, të jashtëzakonshme. Tani ajo ishte me të drejta të plota pjesë e estradës profesioniste e Teatrit “Migjeni”. Në një shfaqje të estradës së Shkodrës në kryeqytet, pas disa ushtrimeve spektakolare që ekzekutoi, juria e festivalit nderon me titull “Laurat i Republikës”. Pas këtij suksesi, Liljanës ju afrua një  punë në kryeqytet, por ajo nuk pranoi. Por shpesh herë ajo udhëtonte në kryeqytet të jepte shfaqje te cirku i Tiranës.
Traumë pas një shfaqjeje
Kush jeton me sportin, apo në rastin e Liljanës me cirkun, luan me rrezikun. Ishte dhjetori i vitit 1968, “mbretëresha” e cirkut shqiptar Liljana Kalleshi, pas një ekzekutimi të numrit të vështirë, bie nga një lartësi e konsiderueshme e pëson një frakturë në kockën e këmbës. Ashtu e dëmtuar, por me ndihmën e Farukut, ajo u ngrit në këmbë duke përshëndetur spektatorët. Të nesërmen ajo futi këmbën në allçi. Pas një muaji, Faruku kthehet nga shërbimi ushtarak 3-vjeçar, e shumë shpejt Liljana kurorëzohet në përjetësi si nusja e Farukut, me të cilin, u bënë me dy fëmijë, vajzën Anila e djalin, Endriti. Me lindjen e Anilës pas një viti e gjysmë martesë me Farukun, për Liljanën shfaqjet në teatër po vështirësohen, por grupi artistik i teatrit e kishte të pamundur të udhëtojë pa Lilin. Kur Anila u bë dy muajshe, Lili kishte dy javë që kishte nisur stërvitjen e vërtetë. Pas një pune intensive, ajo e ktheu trupin në parametra optimale, e u nis drejtë Tiranës në festivalin e estradave profesioniste. Aty ajo konkurroi e vetme në akrobaci dhe ishte pikërisht pas asaj shfaqje, ku Liljana me Tano Banushin nderohen më të mirët e festivalit.
Me lindjen e djalit, Endritit, me 18 maj, ajo largohet përgjithnjë nga skena, duke lënë nga pas një arsenal suksesesh gjatë karrierës së saj artistike si profesioniste e Teatrit “Migjeni”. Për nivelet e larta të saj në artin e bukur te cirkut, ajo është nderuar me shumë çmime e medalje të ndryshme si: 1.“Laurat i Republikës”; 2.“Medalje Naim Frashëri” klasi parë; 3.Për mjeshtërinë e saj artistike, ajo mban titullin “Prengë Jakova” nga Bashkia Shkodër; 4.Medalje “Naim Frashëri i Artë”; 5.Me meritë mban titullin “Mjeshtër i Madh”; 6.Pa dyshim “Nderi i Qarkut Shkodër”; 7.Origjina nga babai e nderon “Qytetare nderi e Tropojës”; 8.Presidenca e nderon “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.  Ky arsenal medaljesh e vendosë Liljanën, si një ndër artistet me nivelet më të larta të artit shqiptar, por e lënë qëllimisht në pluhurin e harresës nga instancat e larta shtetërore e burokrate të vendit tonë, ndaj me bindje të plotë e them se, për merita të saj në art, Liljana meriton pension të veçantë, për të vendosur në vend autoritetin e saj.