Milanit i rikthehet “makthi” Tonali nga Anglia, City kërkon t’i rrëmbej Reijnders

Dy vite pas shitjes së Sandro Tonalit te Newcastle, Milani rrezikon të përjetojë një tjetër episod të dhimbshëm me një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës: Tijjani Reijnders. Mesfushori holandez, ndër të paktët që ka lënë përshtypje pozitive në një sezon të errët për kuqezinjtë, është bërë objektivi i radhës për Manchester Cityn e Pep Guardiolës.
Sipas asaj që raporton ‘Tuttosport’, kampionët e Anglisë janë të gatshëm të ofrojnë plot 70 milionë euro për shërbimet e Reijnders, i cili u transferua verën e kaluar nga AZ Alkmaar dhe u bë shpejt një element i pazëvendësueshëm në mesin e fushës së Milanit.
Kjo ofertë vjen në një moment shumë të ndjeshëm për klubin kuqezi, i cili aktualisht gjendet në vendin e tetë në Serinë A dhe me shpresa minimale për të siguruar një vend në kompeticionet evropiane. Një shitje e mundshme e Reijnders, pavarësisht përfitimit financiar, do të mund të thellonte krizën e besimit mes tifozëve dhe klubit, që tashmë janë shumë të zhgënjyer nga drejtimi teknik dhe ai administrativ.

Rreziku i një “Tonali-bis”
Në verën e vitit 2023, largimi i Sandro Tonalit u shoqërua me një merkato të bujshme që e zbuti disi goditjen. Por këtë herë situata është ndryshe: Reijnders përfaqëson sot një nga shumë pak pika të forta të një projekti që po dështon dhe largimi i tij pa një vizion të qartë për të ardhmen mund të ishte një goditje e rëndë për ambientin kuqezi.
Nëse Milani zgjedh ta shesë edhe këtë shtyllë të mesfushës, atëherë kriza nuk do të jetë vetëm sportive, por edhe identitare. Dhe pyetja që lind është: a ka ende një projekt të qartë në shtëpinë kuqezi, apo çdo verë do të jetë një tjetër fillim nga e para?