Barcelona siguroi 3 trofe sezonalë, Flick nuk kënaqet: Kemi potencial për më shumë…

As në ditën kur finalizoi tripletën kombëtare, Hansi Flick nuk doli nga zakoni i tij i përmbajtur. Pas fitimit të titullit të tij të parë në La Liga me Barcelonën, trajneri gjerman u shpreh i kënaqur me punën e bërë dhe theksoi qëndrimin pozitiv, vullnetin për të sulmuar që skuadra e tij ka treguar gjatë gjithë kampionatit.
“Kjo zakonisht lidhet me qëndrimin, ne gjithmonë kemi menduar pozitivisht. Kështu ka ndodhur që gjatë përgatitjeve parasezonale, në stërvitje ditë për ditë… Kemi një filozofi ndryshe, për të sulmuar gjithmonë, skuadra është përshtatur mirë”, – tha gjermani për mikrofonat e ‘Movistar’.

I qetë në tonin e tij, trajneri donte të nxirrte në pah përmirësimin e ekipit me kalimin e sezonit: “Pjesa e dytë e sezonit ka qenë e jashtëzakonshme, sepse nuk kemi humbur asnjë ndeshje. Urime skuadrës, klubit, tifozëve! Është arritje e pabesueshme, jemi shumë të lumtur”.
Duke qëndruar te përmirësimi, Flick vuri në dukje rëndësinë e Superkupës së Spanjës të fituar në janar: “Superkupa na dha besim për të vazhduar punën dhe arritur nivelin më të mirë, si për shembull Frenkie (de Jong) apo të tjerë që janë përmirësuar shumë. Jam shumë i kënaqur”.

Për Flick, një nga çelësat e suksesit ishte aftësia për të korrigjuar gjërat pas pushimit të fundit për ndeshjet e kombëtareve: “Gjithmonë është pozitive të jesh i fortë mendërisht. Gjërat që kemi stërvitur pas atij pushimi na kanë ndihmuar shumë”.
Duke u ndalur te derbi kundër Espanyolit, që i vuri vërtet në vështirësi, Hansi Flick vlerësoi kundërshtarin: “Ata u mbrojtën shumë mirë, luajtën në një mënyrë shumë të rrezikshme për ne”.

Siç pritej, trajnerit të Barcelonës iu bë pyetja edhe për mungesën e festës në fushë, ose më saktë për festimin e përmbajtur në stadiumin RCDE: “Iu thashë lojtarëve të mi që e dija situatën dhe çfarë kishte ndodhur më parë, ndaj ishte më mirë të festonim brenda dhomave të zhveshjes”.
Në përgjigjet e fundit, Flick dha një mesazh të qartë për ambicien e tij. Fillimisht u shpreh krenar dhe i kënaqur me punën e bërë, por më pas dha një sinjal të fortë për të ardhmen: “Me Barcelonën duhet të fitosh trofe, tre trofe në këtë sezon janë shumë mirë. Kam vuajtur pak, sidomos pas asaj gjysmëfinaleje në Milano, por tani besoj se të gjithë jemi të lumtur. Niveli i skuadrës ka qenë i shkëlqyer, por kemi potencial për më shumë”.