Rafinja e Jamali, dyshja që përcaktoi sezonin e suksesshëm të Barcelonës

Adriatik BALLA
Barcelona po mbyll një sezon përgjithësisht të suksesshëm. Edhe pse u eliminua në gjysmëfinale të Champions League, skuadra po shkon drejt trofeut të titullit në Spanjë, pra si kampione, dhe kjo ka shumë rëndësi jo vetëm për ekipin, por sidomos për trajnerin gjerman Hansi Flik. Ndërkohë, kur sezoni po shkon drejt përfundimit po dalin edhe analizat e para për performancën sezonale të lojtarëve dhe këtu një dyshe bën diferencë të dukshme. Kështu, Lamine Jamal dhe braziliani Rafinja janë lojtarët që shkëlqyen më së shumti këtë edicion me klubin blaugrana. Edhe të tjerët ishin të mirë, por kjo dyshe duket se ka bërë diferencë në çdo aspekt ndaj i mëshohet në analizat e medias sportive spanjolle e më gjerë.
Në fakt, Rafinja është në prag të mbylljes së edicionit më të mirë me Barcelonën – me fitimin e titullit në La Liga. Lamine Jamal e ka marrë thuajse gjithë vëmendjen, por Rafinja ka qenë po aq i rëndësishëm në rrugëtimin për titull. 28-vjeçari Rafinja i shënoi pesë nga 16 golat e Barcelonës në katër “El Clasicot” e zhvilluara që u fituan ndaj Real Madridit në këtë edicion. Paraqitjet e tij ndihmuan që Barcelona ta fitojë Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, kur shënoi dy herë në fitoren 5:2 në finale ndaj Real Madridit. Rafinja ka 34 gola për Barcelonën, ndërsa në dy edicionet e fundit para se t’i bashkohej klubit nga Katalonja, i pati nga 10 gola. Është golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit prapa Robert Levandovskit, që ka shënuar 40 gola gjithsej. Ai ka kontribuuar edhe me 22 asistime në 52 paraqitje. 23 asistime i kishte në dy edicionet e kaluara së bashku, sa ishte pjesë e Lids Junajtid. Vetëm Jamal ka më shumë asistime sesa Rafinja në ligën spanjolle. Jamal i ka 12 asistime, ndërsa nëntë i ka braziliani.
Ndërkohë, sulmuesi Jonathan David ka konfirmuar se do të largohet nga Lila në fund të edicionit, kur edhe i skadon kontrata. Futbollisti që përfaqëson Kanadanë e ka konfirmuar vendimin me një video të publikuar në Instagram të mërkurën. 25-vjeçari do të largohet si futbollist i lirë. Bashkëlojtari i Edon Zhegrovës ka realizuar 25 gola në 48 paraqitje në të gjitha garat e edicionit aktual. Njukasëll Junajtid dhe Barcelona janë prej skuadrave që kanë shprehur interesim për shërbimet e tij. Nëse do të vinte te Barcelona do të haste në vështirësi për shkak të rivalitetit shumë të madh brenda klubit. Kjo pasi Barça ka një numër të madh yjesh në radhët e saj.