Elseid Hysaj në udhëkryq, Lacio i ofron rinovim kontrate me kushte, Daku shihet ideal për Rubin Kazanin

Adriatik BALLA
Me afrimin e qershorit sytë e disa lojtarëve kuqezi janë nga merkato. Një pjesë pritet ta ndryshojnë shpejt ambientin, por ka dhe të tjerë që janë në bisedime me klubet aktuale për zgjatje të kontratës së tyre. Në Serie A ka shumë syresh që po shohin mundësi të reja, por s’mungojnë as kuqezinjtë që lajnë në disa kampionate të vendeve të lindjes, si Daku etj.
Hysaj në udhëkryq
Në Serie A italiane luajnë shumë lojtarë shqiptarë të formacionit titullar të Kombëtares. Një prej tyre, Elseid Hysaj, tani ka rastin ose ta braktisë Lacion ose të rinovojë me kushtet që dikton vetë klubi. Janë pikërisht mediat italiane që shkruajnë se fundi i sezonit po afron dhe është një kohë vendimesh edhe për Elseid Hysajn dhe klubin e Lacios. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është kthyer përsëri mes titullarëve në radhët e bardhekaltërve duke u treguar shpeshherë vendimtar me lojën e tij. Por përtej kësaj, gjatë verës palët duhet të marrin një vendim rreth të ardhmes. Hysaj ka një kontratë deri në verën e vitit 2026 me Lacion dhe një rrogë prej rreth 2,8 milionë eurosh në sezon, nga të cilat 2 milionë euro janë neto.
Kjo cilësohet një rrogë e lartë për Lacion, duke llogaritur se shpesh Hysaj është vlerësuar si rezervë luksi e për më tepër në pjesën e parë të sezonit u la jashtë skuadre. Meqë lojtari ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë nga një pagë e tillë, te Lacio duhet të marrin vendimin nëse do të mbajnë Hysajn në vitin e fundit të kontratës, apo ta ndihmojnë të gjejë një sistemim tjetër për të ardhmen e lojtarit. Nëse Baroni do ta mbajë në radhët e skuadrës, mediat italiane pranojnë se Lacio do t’i propozojë Hysajt një zgjidhje “alla Milik”. Ata do të kërkojnë që të zgjatin marrëveshjen me mbrojtësin, duke shtrirë në kohë pagesën që i detyrohen atij. Kështu veproi Juventusi me sulmuesin e dëmtuar, duke i zgjatur kontratën nga një vit i mbetur, në dy, për t’i paguar në total të njëjtën shifër që i detyrohej vetëm për vitin e ardhshëm.
Mirlind Daku i rëndësishëm për Rubin kazanin, e shpreh klubi rus
Sesa i rëndësishëm është, kjo dihet prej kohësh. Gjithsesi, Mirlind Daku ka arritur nivele ndikimi të pamenduara më parë tek Rubini në Premier Ligën e Rusisë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare është kontribues në më shumë se gjysmën e golave të shënuar nga ekipi i tij në kampionat këtë sezon. Statistikat janë që Daku ka 12 rrjeta e 8 asistë, pra gjithsej 20 kontribute për tundjen e rrjetës. Rubin si skuadër ka realizuar gjithsej 36 gola në Premier Ligë, dhe kjo do të thotë se ylli kuqezi ka qenë pjesëmarrës në 55.6 për qind të rrjetave të ekipit. Kjo, edhe pse ai ka luajtur gjithsej në 24 ndeshje, nga 28 të edicionit për shkak se ka qenë i dëmtuar, ose i pezulluar. Shënuesi më i mirë i Rubinit është pretendent për Këpucën e Artë, ose të paktën për Këpucën e Argjendit, vetëm një rrjetë pas vendit të dytë dhe 4 pas vendit të parë, që e mban Manfred Ugalde i Spartakut”, shkruan “abcnews”. Ndërkaq, pritet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e Dakut. Mediat në Rusi shkruajnë se ka një akord që Rubin do ta lejojë të largohet në verë, ndonëse klubi kërkon 10 milionë euro për kartonin.