Shifrat e pabesueshme të Barcelonës, që përforcojnë suksesin e Interit. Fabregas ka të drejtë…

Barcelona e Hansi Flick siguroi të dielën praktikisht titullin e La Liga-s. Dhe e bëri këtë në mënyrën më të bukur të mundshme; duke mposhtur në shtëpi Real Madridin me rezultatin spektakolar 4-3. Një ndeshje me një shije krejt tjetër nga ajo e para 6 ditëve. Dueli në Montjuïc ishte “festival” i futbollit, një përzierje emocionesh dhe ndeshjesh brenda një ndeshjeje të vetme.
Në fund gjithçka u vendos nga 25 minuta të jashtëzakonshme të Yamal dhe shokëve të tij, pas dopietës së Mbappé. Goli me efekt i talentit të ri të futbollit botëror, pasimet vertikale të Pedrit dhe shpejtësia e Raphina i dhuruan Ancelottit një epilog të hidhur, ndërsa Barcelonës shpërblimin e merituar pas zhgënjimit në Champions.
Kjo ishte fitorja e katërt këtë sezon për Barcelonën kundër Real Madridit. Dominim absolut, me një mesatare prej 4 golash për ndeshje në “Clásico”, statistikë që e përshkruan më së miri forcën aktuale të blaugranave në Spanjë.
Ata kanë fituar Kupën e Mbretit dhe tani presin vetëm konfirmimin matematik për të ngritur trofeun e La Liga-s. Nga Champions League u eliminuan vetëm sepse përvoja e Interit në përballjen direkte bëri diferencën.
Kjo Barcelonë e re, i lindur verën e kaluar nën drejtimin e trajnerit gjerman, është skuadër gjeneratash. Siç tha Fabregas për “Sky”: “Barcelona është një skuadër shumë e re, me dy lojtarë të jashtëzakonshëm 17-vjeçarë, një 19-vjeçar dhe një 21-22-vjeçar. Mungesa e përvojës bëri diferencën ndaj Interit, por kjo skuadër, me disa përmirësime të vogla, do ta fitojë Champions-in brenda 2-3 viteve”.
Dhe ndoshta, siç nënvizohet në këtë analizë, do ta fitojë që sezonin e ardhshëm, sepse kjo Barcelonë ka shifra të frikshme. Duke llogaritur të gjitha kompeticionet, 168 gola në 57 ndeshje, është ritëm që na kujton epokën e MSN (Messi-Suarez-Neymar). Shifra nga ato që e shpallin këtë skuadër si gati për të rishkruar historinë e klubit katalanas, nën dritën e talentit të padiskutueshëm të Lamine Yamal.