Perez e ndan mendjen, Reali Madrid do të bëjë 3 përforcime para Kupës së Botës për Klube

12 Maj 2025

21:22

Telesport

Për të shpëtuar disi dështimin e plot në këtë sezon, Real Madrid synon seriozisht të fitojë Kupën e Botës për Klube, kompeticion i cili zhvillohet për herë të parë në këtë format. Me Xabi Alonso-n i cili pritet të marrë drejtimin e ekipit direkt në fund të sezonit si dhe zyrtarizimin e Trent Alexander-Arnold në krahun e djathtë në mbrojtje, klubi madrilen po punon për finalizimin e dy nënshkrimeve të tjera para se të nisë Kupa e Botës për Klube.
Prioritet është forcimi në qendrën e mbrojtjes, Dean Hujisen duket se është më i arritshëm se kandidatët e tjerë të përfolur. Perez është gati të shpenzojë 50-60 milionë euro për të bindur Bournemouth për të lënë të lirë 20-vjeçarin, i cili konisderohet si një mbrojtës me të ardhme të madhe. Reali nuk do të mjaftohet vetëm me Hujisen, synimi i klubit madrilen është edhe transferimi i njërit prej Alessandro Bastoni ose William Saliba, për të cilët bisedimet do të nisin pas përfundimit të Botërorit të Klubeve.
Përforcimi tjetër që Reali synon të bëjë para 15 qershorit është në repartin e mesfushës dhe emri më i spikatur është Florian Wirtz, transferimi i të cilit do të kushtonte mbi 100 milionë euro. Një shifër shumë e lartë, por drejtuesit e Realit e shohin transferimin e gjermanit si një investim afatgjat në mesfushë duke parë moshën e tij të re.