Sulmuesi i Napolit, Romelu Lukaku, ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, ku ka folur mbi përshtatjen e tij në qytetin e Napolit, marrëdhënien e veçantë me Antonio Conte dhe ambiciet e së ardhmes.
Napoli, qytet i jashtëzakonshëm: “Dries Mertens më përgatiti shumë mirë për Napolin. Flasim shpesh, ai është nga ata lojtarë të rëndësishëm edhe jashtë fushe. Kur erdha këtu, tashmë e dija çfarë më priste. Nuk jam nga ata që dal shumë, por ndjej gjithmonë ngrohtësinë e këtij qyteti. Tifozët dhe njerëzit na japin një shtytje të pabesueshme. E vlerësoj shumë mbështetjen e tyre. Në shtëpi, jashtë fushe, në rrugë, gjithmonë marrim dashuri. Është një qytet i mrekullueshëm për të jetuar”.
Marrëdhënia me Conte: “Unë dhe Conte jemi shumë të sinqertë me njëri-tjetrin. Ai ka ide dhe plane që unë tashmë i njoh. Nuk ka nevojë të më shpjegojë gjithçka, e kuptoj menjëherë çfarë kërkon. Taktikisht, trajneri e di që unë i analizoj shumë ndeshjet. E kam ndjekur që kur filloi të interesohej për mua në sezonin 2013-2014.
Conte më shtyn të kap majat mendërisht dhe fizikisht, jam gjithmonë i gatshëm për punën e tij. Ne përmirësojmë njëri-tjetrin. Është një trajner fitues dhe një ndër më të mirët. E kuptojmë njëri-tjetrin menjëherë, si njerëz dhe si profesionistë. Ai e di që mund të më kërkojë shumë, sepse në fund arrijmë rezultate.
Gjithçka ka të bëjë me fitoren. Kur nuk fitojmë, nuk ndihemi mirë. Dallimet tona na plotësojnë, kemi një balancë perfekte. Çdo lojtar ka atë trajner që i ndryshon karrierën: Cristiano kishte Fergusonin, Messi kishte Guardiolën, Drogba kishte Mourinhon. Dua të besoj se ne jemi si Phil Jackson dhe Shaquille O’Neal”.
Objektivi është të fitojnë sërish bashkë: “Po punojmë çdo ditë me maksimumin tonë për ta fituar kampionatin. Tani gjithçka varet nga detajet. Jemi të fortë fizikisht dhe teknikisht, kemi mentalitetin e duhur si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Nuk ka qenë e lehtë, e filluam me një mënyrë loje, pastaj e ndërruam, më vonë e ndryshuam sërish.
Pikërisht këtu tregohet maturia e skuadrës, kur arrin të njohë situatat dhe ndryshimet gjatë ndeshjes. Tani duhet të jemi të gatshëm për sakrificë, punë dhe forcë mendore”.
400 gola në karrierë, a ka ende ëndrra Lukaku: “Tani dua vetëm të shijoj çdo gol që shënoj dhe të shoh ku do të më çojnë ato. Me kalimin e kohës fiton përvojë dhe e njeh më mirë rrjedhën e një ndeshjeje, gjithçka bëhet më e thjeshtë dhe më argëtuese.
Nëse golat që do të shënoj në pjesën tjetër të karrierës do të më sjellin trofe, do të jem shumë i lumtur, sepse gjithçka rrotullohet rreth fitores. Nuk kam ndonjë ëndërr specifike, dua vetëm të jem mirë fizikisht, sepse kjo është më e rëndësishmja.
Dua të luaj sa më gjatë në nivele të larta dhe të shijoj ende shumë ndeshje nga ky sport i mrekullueshëm, që më ka ndryshuar jetën mua dhe familjes sime”.
Lukaku: Futbolli më ka ndryshuar jetën, unë dhe Conte jemi si Phil Jackson me Shaquille O’Neal
