Një episode, që i ka ndarë tifozët e kuq. Gjatë supersfidës kundër Arsenalit, Trent Alexander-Arnold u fishkëllye nga një pjesë e tifozëve të Liverpool-it, në ndeshjen e tij të parë pas lajmit se nuk do ta rinovojë kontratën, e cila përfundon në fund të këtij sezoni.
Mbrojtësi anglez hyri në fushë pas një ore lojë, me rezultatin 2-2, por u prit me fishkëllima të forta nga një pjesë e madhe e “Anfield”, ndonëse shumë të tjerë e duartrokitën në fund si shenjë mirënjohjeje për gjithçka ka dhënë në 20 vite me Liverpool-in.
Jamie Carragher, legjenda e Liverpool-it dhe tani opinionist i “Sky Sports UK”, komentoi ashpër: “Ky është lajmi i vërtetë i ndeshjes. Për këtë do të flasin të gjithë. Jam i sigurt që do ta diskutojmë edhe pas ndeshjes, do jetë në faqen e parë të çdo gazete nesër”.
Carragher, i befasuar nga reagimi i tifozëve, shtoi: “Kur je mes 60 mijë njerëzve, nuk dyshoj që shumë tifozë janë të zemëruar me këtë situatë. Kjo është e kuptueshme. Sidoqoftë, nuk mendoj se është e drejtë të fishkëllesh një lojtar që mban atë fanellë të kuqe, që hyn në fushë për ta përfaqësuar klubin dhe fituar tri pikë apo trofe.
E kuptoj hidhërimin e tifozëve, e kuptoj vërtet, sidomos duke qenë dikush nga Liverpool-i. Megjithatë, të fishkëllesh një lojtar tëndin ndërkohë që po luan, për mua është e papranueshme”.
Alexander-Arnold u vërshëllye nga tifozët, reagon Carragher: E papranueshme, ende vesh fanellën e Liverpool-it
