Amorim: Ndihem i turpëruar, Manchester United po humbet ndjesinë e një klubi të madh

12 Maj 2025

10:31

Telesport

Ruben Amorim këmbëngul se Manchester United po “humbet ndjenjën e të qenit një klub i madh”. Deklaratë që v jen pas humbjes 0-2 që “djajtë e kuq” pësuan në fundjavë në fushën e tyre ndaj West Ham.
United u rikthye me “këmbë në tokë” pas kualifikimit në finalen e Europa League ditën e enjte, duke pësuar një humbje turpëruese në shtëpi. West Ham fitoi për herë të parë në “Old Trafford” që nga viti 2007.
“Për mua, shqetësimi më i madh është ndjenja se ne nuk mund ta ndryshojmë pozicionin tonë aq shumë. Ky është problemi më i madh në klubin tonë në këtë moment”, tha trajneri Ruben Amorim
Më tej, trajneri portugez komentoi: “Ne po humbasim ndjenjën se jemi një klub i madh dhe është fundi i botës fakti që po humbasim kaq shumë ndeshje në shtëpi. Mendoj se ky është shqetësimi më i madh në klubin tonë”.
“Si duhet të ndihet një menaxher i Manchester United në këtë pozicion? Ndihem i turpëruar dhe është e vështirë të pranohet. Të gjithë duhet të mendojnë seriozisht për shumë gjëra këtu”, tha Amorim.
“E pranoj se të gjithë po mendojnë për finalen. Finalja nuk është një çështje në këtë moment në klubin tonë. Por ne kemi gjëra më të mëdha për të menduar dhe duhet të ndryshojmë shumë gjëra në fund të sezonit”, deklaroi Ruben Amorim.