Guardiola: E vështirë të shënosh ndaj skuadrave që mbrohen, mbrohen dhe vetëm mbrohen

Barazimi pa gola ndaj Southampton ka ndërlikuar disi rrugëtimin e skuadrës së Manchester City në kampionat. “Citizens” zbritën në vendin e katërt dhe mbeten ende në zonën e Champions League.
Gjithsesi, Chelsea e Aston Villa janë shumë pranë, ndaj dhe humbja e 2 pikëve ndaj një skuadre që ka rënë nga kategoria konsiderohet si një humbje. Sidomos kur sheh statistikat, me Manchester City që ka patur 75% të mbajtjes së topit dhe ka gjuajtur mbi 25 herë në portën kundërshtare.
“Ata u mbrojtën me të gjithë lojtarët, por nuk kam asgjë kundër kësaj taktike. Të gjithë mund të bëjnë çfarë të duan. Ata donin vetëm të mbroheshin, të mbroheshin, të mbroheshin dhe të humbnin kohë”, u shpreh Pep Guardiola.
“Ne u përballëm me një mbrojtje të përbërë nga pesë ose gjashtë lojtarë, me sulmuesit e tyre që mbrojnë para tyre, ndaj dhe nuk ka hapësira. Më vjen keq që nuk e gjetëm dot golin, pasi e meritonim dhe lamë dy pikë”, tha Guardiola.
Në fund, ai tha: “Në gjithë këto vite jemi përballur me skuadra me qasje të ndryshme dhe ato, edhe pse tashmë kanë rënë, kanë vendosur të luajnë në atë mënyrë. Detyra jonë ka qenë të thyejmë mbrojtjen e tyre dhe këtë duhet të bëjmë”.