Sommer si Julio Cesar ndaj Messit, ky është detaji që mund të vendosë fituesin e Champions-it (video)

U shpall, me plot meritë, lojtari më i mirë i ndeshjes në supersfidën e mbrëmshme mes Interit dhe Barcelonës. Pavarësisht rezultatit 4-3, Yann Sommer ishte ndoshta lojtari më vendimtar në fushë. Më shumë se Acerbi, më shumë se Frattesi. Pritjet e tij, gjatë të gjithë 120 minutave, e mbajtën Interin gjallë.

Një nga më ikoniket ishte ajo në minutën e 113-të, kur rezultati ishte tashmë 4-3 për zikaltrit. Në atë moment, Lamine Yamal çmend edhe një herë mbrojtjen interiste dhe lëshon një goditje të harkuar e të prerë, që dukej se po shkonte drejt lavdisë.
Por jo për zviceranin, i cili me një kërcim të jashtëzakonshëm arrin ta prekë topin dhe ta devijojë në këndore. Ajo pritje, përkrah golave, është një nga imazhet më të bukura të mbrëmjes madhështore të San Siros.
Dhe menjëherë, në zemrat zikaltër, u rikthye në mendje pritja po aq madhështore e Julio Cesar ndaj Leo Messit në vitin 2010, në sfidën e “Camp Nou”-t që i çoi më pas drejt finales kundër Bayern Munchen.

Një gjest teknik i nivelit më të lartë, që sot si 15 vite më parë, mund të kthehet në momentin vendimtar të një sezoni, të një historie, të një Champions League. Refreni i përhershëm i trajnerëve dhe lojtarëve në këto nivele është: “këtë lloj ndeshjeje e vendosin detajet”. Ja, ky është ai detaji. Ndoshta më i rëndësishmi në historinë e fundit të Interit.