Adriatik BALLA
Lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali kanë pritshmëri më të mëdha në Kombëtare krahasuar me lojtarët që vijnë nga ligat e tjera. Kjo pasi kuqezinjtë në Itali janë të shumtë, kanë më tepër kualitet dhe luajnë me skuadra elitare të këtij vendi. Krahas veteranëve një vëmendje po marrin edhe të rinjtë që dalin nga akademi dhe klube të njohura italiane. Ndërkohë, Kristjan Asllani nuk arriti dot të merrte asnjë minutë ndaj Barcelonës në gjysmëfinale të Champions League në dy takimet. Megjithatë, mesfushori kuqezi është tepër i lumtur për kualifikimin.
Asllani foli për “Klan Kosova” pas kualifikimit të zikaltërve në finale. “Jam shumë i lumtur, e dinim që ishte një ndeshje shumë e vështirë. Kam tre vjet tek Interi dhe kemi shkuar dy herë në finalen e Champions League. Edhe pse po luaj pak jam shumë i lumtur. Kemi një finale për të luajtur. Kemi kohë edhe për kampionatin, kurrë nuk i dihet çfarë mund të ndodhë. Ndaj Barcelonës kanë qenë dy ndeshje shumë të bukura edhe për tifozët edhe për teleshikuesit. Jemi të lumtur për këtë spektakël që kemi dhuruar, por edhe Barcelona ka luajtur shumë mirë, është një skuadër shumë e fortë. Çfarë mesazhi ke për fansat, edhe pse do donin të të shikonin në fushë? Nuk më intereson kjo gjë sepse skuadra më ndihmon çdo ditë.
Kulla, talenti shqiptar që shpreson të luajë me klub të madh
Në kampionatin italian, në ligat e ndryshme të tij, krahas lojtarëve titullarë të Kombëtares, luan edhe një kontigjent lojtarësh cilësorë nga të rinjtë, një pjesë e të cilëve janë të angazhuar në ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, madje ka ndonjë i angazhuar edhe me Italinë sikurse ndodhi me Luis Hasën. Referuar edhe asaj që shkruan “Panorama Sport”, Gabriel Kulla është një nga talentet më premtuese të futbollit shqiptar dhe një emër për t’u ndjekur në të ardhmen. Gabriel Kulla, një sulmues 17- vjeçar nga Shkodra, ka tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe ekspertëve të futbollit me paraqitjet e tij të shkëlqyera me ekipet e moshave të Sasuolos në Itali. Në ndeshjen e fundit kundër Xhenoas, sulmuesi realizoi tre gola, ndërsa këtë kampionat ka arritur që të shënojë 19 gola në 24 ndeshjet e luajtura deri tani.
Ai ka tërhequr vëmendjen e shumë agjentëve dhe klube të mëdha janë duke e ndjekur talentin shqiptar. Në nivel kombëtar, Kulla ka qenë një aset i çmuar për Shqipërinë U-17. Në 11 ndeshje me Kombëtaren, ai ka shënuar 10 gola, duke përfshirë dy gola në fitoren 2-1 ndaj Sllovenisë U-17 në prill 2024. Sulmuesi 17-vjeçar pritet të luajë në Kampionatin Europian U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri, duke nisur nga data 19 maj. Shqipëria do të përballet me Portugalinë, Gjermaninë dhe Francën në grupin e saj dhe Kulla pritet të jetë sulmuesi kryesor në ekipin e trajnerit Tedesko. Pavarësisht vështirësisë së kundërshtarëve të cilët jo më kot marrin pjesë në fazën finale të Europianit U-17, Shqipërisë U-17 ky turne do t’i vlejë për të gjithë ata lojtarë të cilët do të përballen me bashkëmoshatarët e tyre, të cilët janë një nivel tjetër.
Asllani nuk luajti, por godet me mesazhin: Në tre vjet me Interin shkova dy herë në finale të Champions
