Infantino bën tifo për Interin nga Shtëpia e Bardhë, ja mesazhi “zikaltër” i presidentit të FIFA-s

7 Maj 2025

12:54

Alfred Lleshi

Interi ka pasur një tifoz shumë të veçantë, madje nga kopshtet e Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Bëhet fjalë për Gianni Infantinon, i cili ndodhej atje për një takim me presidentin amerikan, Donald Trump.
Presidenti i FIFA-s u takua me Trump për të diskutuar rreth Kampionatit Botëror 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, si dhe për çështjen e vizave për miliona tifozë që priten nga e gjithë bota.
Në profilin e tij në Instagram, Infantino, që është tifoz i deklaruar i Interit, postoi një foto të tij ulur në një stol në Shtëpinë e Bardhë, duke ndjekur në telefon gjysmëfinalen e Championsit Inter-Barcelona. Ai e komentoi foton me fjalët: “Ta ndjekësh futbollin nga çdo cep i botës”, duke shtuar edhe dy zemra (emoji); një të zezë dhe një blu.