Procedohet penalisht Koço Kokëdhima, presidenti i Apolonisë u fut në fushë dhe shtyu gjyqtarin në futbollin e femrave

Policia e Shtetit procedoi penalisht presidentin e klubit Apolonia, Koco Kokwdhima, pas incidenteve të krijuara gjatë ndeshjes së Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Femra mes Apolonisë dhe Gramshit, zhvilluar të martën në Fier.
Ndaj Kokedhimes rëndon akuza “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Presidenti i ekipit fierak u fut në fushë në stadiumin “Loni Papuçiu” në shenjë proteste për vendimet e gjyqtarit të takimit.

Policia e Fierit sqaron se Koco Kokwdhima debatoi dhe shtyu me duar arbitrin e ndeshjes, Dorjan Melataj.
Përveç presidentit të Apolonisë, në fushë gjatë momenteve të tensionit u futën edhe zyrtarë të tjerë të klubit fierak.
Ndeshja mes Apolonisë dhe Gramshit, dy ekipe pretendente për titullin kampion tek femrat, u ndërpre për gati 25 minuta pas incidenteve, ndërsa pas rinisjes së saj, ishte Apolonia që fitoi 1 me 0.
Futbolli shqiptar është i mbushur me episode të kësaj natyre, por në pak raste ka ndodhur që të degradojnë në situata të tilla edhe ndeshjet e futbollit të femrave.
Rasti më flagrant ishte në nëntor të vitit 2023, në duelin Tirana-Vllaznia, ku pati një përleshje masive mes lojtarëve dhe stafeve të të dyja ekipeve./vizionplus.tv