Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Demetrio Albertini, ish-lojtar i Barcelonës dhe Milanit, bëri një analizë të përballjes së dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që do të luhet sonte në “San Siro”, prej orës 21:00:
Për strategjinë e Interit: “Është e mundur ta përballosh strategjinë e Interit, por duhet shumë kujdes. Lojtarët e Interit janë shumë të gjatë dhe fizikisht të fortë. Është e rëndësishme që në mbrojtje të mos e humbasësh topin, por as të mos i japësh mundësi kundërshtarit. Po ashtu, Barça nuk duhet të bëjë faulle afër zonës së vet”.
Mbi Barcelonën, pas kalimit nga Xavi te Flick: “Mendoj se Barça është kthyer te filozofia e Cruyff, duke u fokusuar tek akademia e saj. Në njëfarë mënyre e bëri për nevojë, pasi Laporta dhe drejtuesit po përpiqen të reduktojnë shpenzimet. Sidoqoftë, kjo është e kuptueshme, sepse po punon me cilësinë që ofron akademia. Kur në ekip ka shumë lojtarë nga akademia, ata kanë një përkushtim ndaj klubit që nuk ta jep askush tjetër, madje as lojtarët më të mëdhenj”.
Për Lamine Yamal: “Ka të ardhme të madhe përpara. Askush nuk mund të dijë çfarë do të ndodhë, vetëm ai vetë. Duhet t’i mbajë në mendje të gjithë lojtarët e mëdhenj që kanë kaluar te Barça para tij: Ronaldinho, Iniesta, Xavi, Puyol, Messi… Ata kanë zgjatur shumë në klub dhe në skenën ndërkombëtare. Talenti është i rëndësishëm, por nuk mjafton, duhet edhe shumë punë. Yamal ka një talent të jashtëzakonshëm, shumë të rrallë, sidomos në moshën e tij. Mund të fitojë shumë ‘Topa të Artë’, por nuk duhet të vetëkënaqet”.
Albertini paralajmëron Barçën: Kujdes nga lojtarët e Interit, janë të gjatë dhe shumë të fortë fizikisht
