Adriatik BALLLA
Gara për titullin kampion për këtë sezon do të jetë një finale e madhe mes Egnatias dhe Vllaznisë. Kjo pasi gjysmëfinalet e “Play-off”-it sipas formatit “Final Four”, nxorën në finale pikërisht skuadrat e lartpërmendura. Të dielën ishte Vllaznia që siguroi finalen pasi mundi 2-1 Dinamon, kurse mbrëmë u përplasën Egnatia e vendit të parë me Partizanin e vendit të katërt nga renditja pas 36 javësh garë. Gjysmëfinalja e mbrëmshme e “Final Four” nuk prodhoi goola, edhe pse pati një lojë të mirë e cilësore. Rezultati barazim në këtë format nuk e çon ndeshjen në shtesë, por sipas rregulloren i jep të drejtën skuadrës që është renditur më lart në kampionatin e rregullt që të shkojë më tej, pra në finale. Në këto rrethana, Partizani eliminohet, kurse Egnatia shkon në finale me Vllazninë, ku në këtë duel fituesi do të përvetësojë edhe trofeun e kampionatit.
Ndeshja
Rrogozhinasit kanë përsëritur historinë dhe ashtu si një vit më parë, kanë përfituar nga rregullorja për të shkuar në ndeshjen finale. Siç e cekëm dhe më lart, falë renditjes më të mirë në kampionat dhe rregullores së gjysmëfinaleve të “Final Four”, skuadrës së Edlir Tetovës i mjaftonte edhe barazimi në ndeshjen e djeshme ndaj Partizanit. Ndaj ajo ka luajtur më me qetësi duke kontrolluar lojën, pa rrezikuar shumë përballë Partizanit i cili gjithashtu krijoi shumë pak raste për të shënuar. Kjo bëri që ndeshja të luhej pa ritëm, me të kuqtë që kishin rrallëherë minuta të rrezikshme para Dajsinanit. Ata tentuan vetëm në fund me forca të shumta të ndryshonin situatën, por ishte vonë për të sjellë një gol që do u jepte kualifikimin. Kësisoj, barazimi 0-0 i dha mundësinë Egnatias të shkonte përsëri në finale, ku do të tentojë të mbrojë “fronin” e siguruar një vit më parë.
Shanset e finales
Nisur nga ecuria e skuadrave të Egnatias dhe Vllaznisë në këtë kampionat, gjendjes së tyre momentale dhe cilësive të loljtarëve, mund të thuhet se Egnatia ka grup më të mirë, por luhatja e qëndrueshmërisë së saj mund t’ia largojë titullin nga duart. Vllaznia ndihet më e motivuar dhe me një Bekim Balaj në fomë mund të bëjë diferencë. Shkodranët kanë 24 vjet që nuk fitojnë titullin. E kanë fituar për herë të fundit në vitin 2001, kurse rrogozhinasit e fituan titullin një vit më parë, madje bënë dopietë trofesh, pasi fituan edhe Kupën e Shqipërisë. Këtë edicion kupën e fitoi Dinamo, kurse Partizani mbeti pa trofe. Në vallen e titullit është Vllaznia dhe Egnatia. Cilado qoftë skuadra që e fiton titullin kampion, njëra do të shkojë në Champions League, kurse tjetra do të luajë në UEFA Conference League. Dinamo do të shkojë në Ligën e Konferencës si skuadra që ka fituar Kupën, kurse Partizani mbetet këtë herë pa ndonjë arritje, e do të përqendrohet në sezonin e ri, ku trajneri Gega mund të nisë që në fillim të qershorit të ndërtojë ekipin e sezonit të ardhshëm. Finalja e titullit mes Egnatias dhe Vllaznisë do të luhet më 12 maj në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Partizani barazon, por rregullorja çon në finale e madhe të titullit Egnatian e Rrogozhinës
