Kosova ngelet jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, ja arsyeja

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk figuron në draft-agjendën e Komitetit të Ministrave, i cili do të mblidhet më 13 dhe 14 maj në Luksemburg. Por, pavarësisht se gjasat janë minimale, aplikacioni i Kosovës edhe mund të shqyrtohet në kuadër të pikës “other bussiness” që zakonisht trajton çështje që shtrohen në fund të takimit. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2022. Por, ajo ndodhet në vendndalim për shkak të dialogut me Serbinë. E çështja që ka ndikuar në mospërfshirjen e Kosovës majin e vitit të kaluar në agjendën e Komitetit të Ministrave ishte mosdërgimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ajo kohë nuk ka ndryshuar asgjë. Qeveria e Kosovës ka refuzuar kushtin e partnerëve evropianë që kërkon angazhime konkrete dhe të pakthyeshme për ngritjen e një mekanizmi të posaçëm vetëmenaxhues për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Pavarësisht mbështetjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në prill 2024, vendimi final është në duar të ministrave të jashtëm të 46 shteteve anëtare të organizatës lidere për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Në këtë kontekst, përpjekjet e Kosovës për të siguruar një vend në Këshillin e Evropës po bëhen gjithnjë e më të vështira, ndërkohë që vendi vazhdon të jetë pa institucione funksionale, pothuajse katër muaj pas zgjedhjeve, duke rrezikuar që vendimmarrja për pranimin e saj në këtë organizatë të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.