Adriatik BALLA
Ish-kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, njëherë përmendi një lojtar “të nënvlerësuar” që, sipas tij, duhej ta kishte fituar Topin e Artë – dhe nuk ishte Frank Lampard. Terri, tani 44 vjeç, u rendit i dhjeti në garën për Topin e Artë në vitin 2005, pasi ndihmoi Çelsin të fitonte Premier League gjatë sezonit 2004/05 me një rekord të atëhershëm prej 95 pikësh. Megjithatë, ai me gjasë nuk kishte ankesa kur pa ikonën e Barcelonës dhe Brazilit, Ronaldinjo, të fitonte çmimin e shumëdëshiruar. Deri më sot, asnjë lojtar i Çelsit nuk e ka fituar çmimin më të lakmuar individual në futboll, por ish-mbrojtësi i Anglisë ka pohuar tashmë se një nga ish-bashkëlojtarët e tij te Blues meritonte ta fitonte këtë çmim.
Duke marrë parasysh faktin që ai ka luajtur me emra si Didier Drogba, Lampard dhe Eden Hazard gjatë kohës së tij në Londrën Perëndimore, si dhe me ikona të tilla si Uejn Runi, Steven Xherard dhe Pol Skolls me kombëtaren e Anglisë, mund të mendoni se bëhet fjalë për njërin prej tyre. Por ishte një tjetër prej ish-bashkëlojtarëve të tij. Lojtari në fjalë ishte thelbësor në fitoren e Çelsit në Premier League në sezonin 2016/17, pasi luajti në 35 nga 38 ndeshjet e atij sezoni. Terri e përshkroi ish-bashkëlojtarin e tij, N’Golo Kante, si “sikur të ishte 11 lojtarë në një” kur foli për mesfushorin francez në vitin 2021. “Ajo që ai bën, kalon aq shumë nën radar” tha Terri për “Stadium Astro”. Më tej ai vijoi të arsyetonte mendimin e tij. “Ai është një lojtar me të vërtetë i klasit të lartë. Do të doja shumë ta shihja ta fitonte Topin e Artë ose të merrte vlerësimin që mendoj se e meriton.
Ai është një djalë shumë i përulur. Bën punën e tij dhe qëndron larg çdo problemi. Ka qenë një aset i madh për klubin e futbollit, dhe kemi qenë me fat që e kemi pasur te Çelsi, pa dyshim”, tha ai. Kante, i cili tani është 34 vjeç dhe luan për klubin Al-Itihad në Arabinë Saudite, u rendit i pesti në garën për Topin e Artë në vitin 2021, pasi ndihmoi Çelsin të fitonte Ligën e Kampionëve nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm, Thomas Tuhel, gjatë sezonit 2020/21. Dhe Terri nuk ishte lojtari i vetëm që e lavdëroi Kantenë. Bashkëlojtar i tij te Franca, Pol Pogba, e përshkroi atë si një lojtar që “i ka të gjitha” gjatë një interviste për televizionin francez “ESPN” në vitin 2021. “Kante i ka të gjitha. Është i mirë teknikisht, ka pasime të sakta, dhe është kudo në fushë. Vrapon për 11 lojtarë. Madje them se shfaqet nga toka! Të kesh një lojtar të tillë në skuadër, çfarë tjetër mund të kërkosh?”, theksoi Pogba.
Xhon Terri: N’Golo Kante e ka merituar ta fitojë “Topin e Artë” para shumë të tjerëve
