Nesër në orën 20:00, gjysmëfinalja e parë e Final Four” ndërmjet Vllaznisë dhe Dinamos. Takimi tjetër i kësaj faze, luhet një ditë më vonë po në ‘Arena Kombëtare’ mes Egnatias dhe Partizanit.
“Final 4” është formula e re e cila për të dytin edicion radhazi do të vendosë titullin kampion në Abissnet Superiore. Sezonin e kaluar ishte Egnatia e cila fitoi trofeun e madh të futbollit shqiptar ndërsa nga nesër, të katër ekipet në garë do të nisin rrugëtimin në kryeqytet te ‘Arena Kombëtare’.
Do të hapë turin gjysmëfinal dueli Vllaznia- Dinamo Siti me shkodranët të favorizuar nga formula. Kuqeblutë e Brdariç kalojnë në finale nëse nuk humbin në 90′ pikërisht me blutë që në ditën e parë të muajit maj 2025, triumfuan me fitimin e Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias.
Në fakt, Vllaznia ka që nga edicioni i largët 2000-2001 pa fituar titullin kampion teksa numri ‘9’-të, po mban ‘peng’ vendosjen e yllit të parë në fanellë. Në Shkodër besojnë se ky është momenti i duhur ndaj dhe përkrahja në gjysmëfinale e domosdoshmërisht në finale (nëse e sigurojnë nesër) pritet të jetë mjaft e lartë.
Emra të tillë si Balaj, Krymi, Gurishta, tej grupit aktual me të tjerë lojtarë cilësorë, mund të jenë ata që do të kërkojnë të futen në historinë e klubit legjendar si shkodranët kampionë të kësaj Vllaznie të kampionatit numër 86-të.
Ndërkohë Dinamo duket e destinuar të luajë fatet e saj për të qenë ajo skuadra finaliste e 12 majit në “Arena Kombëtare”. Ekipi i Dajës ka vetëm një rezultat për të arritur objektivin e parë, fitoren./Sportiim.al/
Vazhdo leximin
